Aktualitet

Vendimi i Kushtetueses për TikTok, reagon familja Cani: Djali ynë nuk u vra nga rrjetet sociale! Tragjedia u përdor për censurë

Familja Cani thekson gjithashtu se të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë: Sistemi Arsimor i Falimentuar, Papërgjegjshmëria e Shkollës, Krimet e Sistemit Shëndetësor dhe Propaganda në vend të Sigurisë.

11 Mars 2026, 16:57 Nga E. D
Vendimi i Kushtetueses për TikTok, reagon familja Cani: Djali ynë nuk
Familja e Martin Cani

TIRANË- Familja e Martin Cani që u vra nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës Fan Noli, ka reaguar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila deklaroi se vendimi për mbylljen e TikTok ishte antikushtetues dhe u cenua liria e shprehjes. Me anë të një deklarate, familja Cani shprehet se vendimi i GJK demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte tragjedinë si pretekst për censurë dhe manovra politike.

Familja Cani thekson gjithashtu se të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë: Sistemi Arsimor i Falimentuar, Papërgjegjshmëria e Shkollës, Krimet e Sistemit Shëndetësor dhe Propaganda në vend të Sigurisë. Familja e Martin bën thirrje që mjaft me manipulime, pasi mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Në fund të deklaratë, Familja Cani thekson se kërkojnë drejtësi për Martinin dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur.

Deklarata e plotë:

Familja e Martin Canit mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli sot antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok, duke konfirmuar zyrtarisht atë që ne kemi bërtitur me dhimbje që nga dita e parë: Martini nuk u vra nga TikTok!

Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq  dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.

Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:

Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.

Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.

Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.

Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.

Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte.

Ne nuk do të heshtim!

Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja. Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!

Si u vra Martin Cani?

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.

Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli./Dosja.al

 

martin cani familja cani tiktok edi rama gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll