Politike

“Arresti shtëpiak”/ Kushtetuesja i dha të drejtë Sali Berishës, zbardhet VENDIMI

Sipas vendimit, gjykatat më të ulëta janë mbështetur në të njëjtat argumente të fazës fillestare, pa paraqitur rrethana apo prova të reja që justifikonin vijimin e një mase kaq kufizuese për disa muaj.

3 Mars 2026, 17:06 Nga DOSJA
“Arresti shtëpiak”/ Kushtetuesja i dha të drejtë Sali
Sali Berisha

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me kërkesën e Kryedemokratit Sali Berishës, për masën e arrestit shtëpiak, vendosur nga GJKKO për çështjen e kompleksit “Partizani”. Sipas vendimit, gjykatat më të ulëta janë mbështetur në të njëjtat argumente të fazës fillestare, pa paraqitur rrethana apo prova të reja që justifikonin vijimin e një mase kaq kufizuese për disa muaj.

Në vendim thuhet se, pas një periudhe të gjatë zbatimi, “arresti në shtëpi” kishte humbur funksionin e masës së sigurimit dhe ishte kthyer praktikisht në një ndëshkim. Megjithatë, Gjykata nuk shfuqizoi vendimet e mëparshme, pasi masa ndaj Berishës ishte zëvendësuar ndërkohë me “detyrim paraqitjeje”, duke u mjaftuar me konstatimin e shkeljes së të drejtës për liri personale.

Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme njoftoi se e kishte vendosur masën arrest shtëpiak ndaj Berishës i cili është duke u hetuar së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në "arrest shtëpie".

Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.

Avokatët e Berishës kishin kundërshtuar në mënyrë të përsëritur zgjatjen e arrestit gjatë seancave të raportimit dymujor, ndërsa SPAK këmbëngulte në mbajtjen e tij. Ndërsa, në janar 2025, arresti shtëpiak u zëvendësua me masën “detyrim paraqitjeje”, një vendim që tani mbështetet edhe nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese./Dosja.al

sali berisha gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll