Politike

“Tre rrethanat e vetme kur shpërndahet Kuvendi”, Manjani shpjegon Kushtetutën: Zgjidhja janë zgjedhjet e reja

20 Shkurt 2020, 09:17 Nga DOSJA
“Tre rrethanat e vetme kur shpërndahet Kuvendi”, Manjani

TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me debatin e rihapur ditët e fundit për shpërndarjen e Parlamentit nga Presidenti Ilir Meta. Në një reagim në Facebook, Manjani shkruan se Kuvendi mund shpërndahet vetëm në tre rrethana: Kur nuk arrin të zgjedhë Presidentin sipas nenit 87 të Kushtetutës. Kur nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin, sipas nenit 96. Kur Kryeministri humbet mocionin e besimit, sipas nenit 101.

Sipas tij këto janë vetëm tre momentet kur Parlamenti mund të shpërndahet dhe nisma merret nga Presidenti vetëm kur nuk mund të zgjidhet dot kryeministri i ri. Më tej ai bën dhe një koment duke thënë se ky rend kushtetues dhe zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.

POSTIMI I PLOTË

Në përgjigje të gjithë gazetarëve dhe miqve në FB, megjithëse e kam sqaruar dhe më parë, në pamundësi për ta sqaruar për secilin veç e veç, po e sqaroj edhe njëherë “shpërndarjen e Kuvendit” sipas Kushtetutës. Kuvendi mund të shpërndahet VETËM në tre rrethana: 1. Kur nuk arrin të zgjedhë Presidentin sipas nenit 87 të Kushtetutës. 2. Kur nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin, sipas nenit 96. 3. Kur Kryeministri humbet mocionin e besimit, sipas nenit 101.

Këto janë arsyet e vetme kushtetuese kur shpërndahet Kuvendi. Proceduralisht, nisma për shpërndarjen e Kuvendit merret nga Presidenti vetëm kur Kuvendi i ri i pas zgjedhjeve nuk zgjedh dot Kryeministrin e ri sipas nenit 96. Në çdo rast tjetër, Presidenti vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit ose Kryeministri. Më në fund, në asnjë kompetencë të shkruar në Kushtetutë nuk përmendet “shpërndarja e Kuvendit” si detyrë specifike për Presidentin. Kjo është Kushtetuta e shkruar.

==================

Komenti im: Çështja është se kjo Kushtetutë ka rënë, sepse është praktikisht e dhunuar aq keq sa nuk ke më nga ta kapësh për të gjetur kush ka të drejtë e kush jo. Zbatimi korrekt i kësaj kushtetute kërkon qeverisje demokratike të bazuar në zgjedhje të lira; Kushtetutën si aktin themelor të shtetit; demokracinë si parim themelor; pluralizmin politik si filozofi sunduese dhe ekonominë e lirë të tregut. Të gjitha këto parime të shkruara në Kushtetutë. Por, në realitet të gjitha këto kanë marrë fund! Pyetja është si rivendoset rendi Kushtetues?

Mendimi im është vetëm me proces politik që çon vendin në zgjedhje të lira e të ndershme si fillim. Në vijim duhet shpallur “e shenjtë” Kushtetuta dhe duhet ndërtuar shteti NORMATIV, sipas hierarkisë. I gjithë korpusi ligjor i normave speciale, të veçanta apo të jashtëzakonshme, tipike këto për shoqërinë diktatoriale duhet SHFUQIZUAR dhe duhet ndaluar miratimi i mëtejshëm i tyre. Kështu fillon. Por ka plot për të bërë….

Debati për shpërndarjen e Parlamentit ka disa kohë që ka nisur që pas djegies së mandateve nga opozita. Presidenti gjithmonë i është shmangur pyetjes nëse do e shpërndajë apo jo Parlamentin, duke thënë se një gjë të tillë e vendos populli. Por dje dhe sot me deklaratat e tij po lë të kuptohet se ka në plan dekretin për shpërdarjen e institucionit ligjbërës.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike kushtetuta e shqiperise shperndarja e kuvendit ylli manjani kushtetuta e shqiperise shperndarja e kuvendit ylli manjani

Sondazh

Poll