Aktualitet

"Na bëri nder, na solli dritat"/ Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i akuzuar për korrupsion zgjedhor, dëshmia në gjyq: S’na orientoi për kë të votonim

Një nga dëshmitarët, Kol Martini ka deklaruar se banorët kishin pasur prej kohësh probleme me energjinë elektrike dhe pavarësisht ankesave nuk kishin gjetur zgjidhje. Por, sipas Martinit, vetëm pasi iu drejtuan kryetarit të bashkisë, situata mori zgjidhje. 

26 Shkurt 2026, 15:25 Nga E. D
"Na bëri nder, na solli dritat"/ Kryebashkiaku i Vaut të
Kristian Shkreli

TIRANË- Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme. Në ketë seancë ka nisur dëgjimi i dëshmitarëve të thirrur nga SPAK në procesin penal ndaj Shkreli, i cili akuzohet për “korrupsion zgjedhor”.

Një nga dëshmitarët, Kol Martini ka deklaruar se banorët kishin pasur prej kohësh probleme me energjinë elektrike dhe pavarësisht ankesave nuk kishin gjetur zgjidhje. Por, sipas Martinit, vetëm pasi iu drejtuan kryetarit të bashkisë, situata mori zgjidhje. 

“Ne nuk na ka mësuar Kristian Shkreli për kë të votonim. Ai na ka bërë atë nder që na ka sjellë dritat”, u shpreh dëshmitari në sallën e gjyqit.

Ndërsa, dëshmitari Sajmir Zavani tha se kishte pasur një ankesë lidhur me rrjetin elektrik, ku disa shtylla ishin të dëmtuara dhe ishte e nevojshme ndërtimi i një linje të re.

Gjithashtu Zavani tha se ishte hartuar një projekt për përcaktimin e numrit dhe vendosjes së shtyllave, i cili ishte dërguar në drejtorinë rajonale në Tiranë. Më tej, Zavani ka deklaruar, se ishte vënë në lëvizje pas ankesave të bëra në portalin e bashkëqeverisjes dhe se kishte kontaktuar kryetarin e bashkisë për të siguruar një fadromë për hapjen e gropave, pasi punonjësit nuk kishin mundësi t’i hapnin ato me krahë.

Ndërkohë, dëshmitari Edmir Dedaj, punonjës pranë OSHEE-së në Shkodër, që mbulon zonat Pukë, Fushë-Arrëz dhe Vau i Dejës, dëshmoi se kishte marrë vazhdimisht ankesa nga banorët për problemet në Stajkë. Ai tha se kishte bërë kërkesa të njëpasnjëshme deri në sigurimin e bazës materiale dhe realizimin e ndërhyrjes në dy faza, por nuk mbante mend saktësisht kohën kur ishin kryer punimet. 

Në GJKKO ka dëshmuar edhe Aramand Zhuka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër, i cili deklaroi se ishte në dijeni të remontit të kryer në fshatin Stajkë. Sipas tij, rrjeti elektrik kishte qenë i amortizuar dhe nuk e përcillte siç duhet energjinë. Ai u shpreh se ishte informuar edhe nga kryetari i bashkisë për problematikën dhe se punonjësit kishin sjellë fotografi që tregonin gjendjen e linjës.

Për çfarë akuzohet Shkreli?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë fushatës zgjedhore, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për shqyrtim gjyqësor./Dosja.al

kristian shkreli

Sondazh

Poll