Politike

"Rama po imunizon vjedhjet shtetërore"/ Takimi me Komisionin e Jashtëm të PE-së, Blushi: Lufta kundër korrupsionit ka shënuar regres

Blushi akuzoi qeverinë për regres në shtetin e së drejtës, cenim të zgjedhjeve dhe rritje të korrupsionit, duke iu referuar raporteve të OSBE-ODIHR dhe Transparency International.

18 Shkurt 2026, 17:09 Nga E. D
"Rama po imunizon vjedhjet shtetërore"/ Takimi me Komisionin e
pamje nga takimi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi ka zhvilluar një takim me Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, të kryesuar nga David McAllister. Me anë të një postimi në Facebook, Blushi thekson kontributin e PL-së dhe Ilir Meta, në rrugën drejt BE-së. Gjithashtu Blushi akuzoi qeverinë për regres në shtetin e së drejtës, cenim të zgjedhjeve dhe rritje të korrupsionit, duke iu referuar raporteve të OSBE-ODIHR dhe Transparency International. Ndërsa duke folur për arrestimin e Metës, Blushi e cilësoi si të motivuar politikisht.

Postimi i Tedi Blushit: 

Kënaqësi e veçantë, të diskutoja hapur me Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian-AFET, të kryesuar nga Z. David McAllister, mbi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe plotësimit sa më parë të kritereve që duhet të përmbushë vendi ynë. Theksova kontributin e veçantë, ndër vite, të Partisë së Lirisë (ish-LSI) dhe Presidentit të saj, Z. Ilir Meta për integrimin europian të vendit dhe rikonfirmova qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e këtij procesi.

Evidentova faktin e rrëshkitjes nga parimet e shtetit të së drejtës drejt instalimit të një regjimi autokratik të inkriminuar dhe se janë 7 rezoluta ndërkombëtare, që damkosin qeverinë e Edi Ramës, e cila ka cënuar votën e lirë, ka kapur të gjitha institucionet, përfshi dhe drejtësinë. Solla në vëmendje, raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit, dhe qëndrimin shumë të qartë të shprehur nga anëtari i AFET, eurodeputeti, Z. Michael Gahler se ishin bandat kriminale që penguan rotacionin politik, ç’ka provojnë denoncimet dhe shqetësimet e drejta të opozitës, në raport me armiqësinë që Qeveria u ka shpallur zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta.

Nënvizova se lufta kundër korrupsionit ka shënuar regres të ndjeshëm, duke sjellë në vëmendje raportin e Transparency International, për renditjen e Shqipërisë 11 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë, si dhe faktin që Edi Rama po bën gjithçka për të imunizuar vjedhjet shtetërore, referuar ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale. Mohimi i së drejtës kushtetuese të opozitës në Kuvend, për ushtrimin e kontrollit parlamentar, mospranimin e ngritjes së komisioneve hetimore dhe moslejimi i së drejtës së fjalës, ishin shqetësimet e tjera që parashtrova.

I njoha eurodeputetët me faktin se prej 16 muajsh, President i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i rrëmbyer në mënyrë mafioze, ndodhet në izolim ekstrem, i burgosur politik, pa fakte dhe pa prova penale, nën masa represive dhe antiligjore. Standardet kriminale të rrëmbimit të Z. Meta kanë vulosur dhe standardet e hetimit dhe paraburgimit, në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën dhe në veçanti me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, shkelja flagrante e së cilës, në raport me respektimin e lirive dhe të drejtave të të gjithë shqiptarëve, na largon nga familja europiane.

Partia e Lirisë duke mbështetur me vendosmëri ecurinë e procesit të integrimit thekson se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen në mënyrë cilësore, të qëndrueshme dhe t’u shërbejnë së pari krijimit të një standardi europian për jetesën e qytetarëve shqiptarë./Dosja.al

tedi blushi

Sondazh

Poll