Politike

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë/ Apeli i GJKKO-së shqyrton ankimimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në 24 shkurt

Në datë 24 shkurt, gjyqtarja Nertina Kosova do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut, për të vendosur nëse do e zbusë atë apo do e lërë në fuqi.

18 Shkurt 2026, 15:51 Nga E. D
Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë/ Apeli i GJKKO-së
Erion Veliaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën e shqyrtimit të ankimimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Bëhet me dije se në datë 24 shkurt, gjyqtarja Nertina Kosova do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut, për të vendosur nëse do e zbusë atë apo do e lërë në fuqi.

Gjithashtu Apeli i Posaçëm do të vlerësojë nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lirohet nga qelia. Kërkesa e tij vjen pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim. Sipas mbrojtjes, në këtë fazë procedurale nuk ekziston më rreziku i prishjes apo manipulimit të provave, çka përbën një nga argumentet kryesore për lehtësimin e masës së sigurisë.

Për çfarë akuzohej Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

erion veliaj

Sondazh

Poll