Politike

Berisha: 20 shkurti dita e kryengritjes më të madhe paqësore në histori që e pret çdo shqiptar, por që e presin mbarë vendet demokratike të Europës dhe të botës

Gjatë fjalës së tij, Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet dhe për të mbrojtur veten nga krimet që ka kryer.

17 Shkurt 2026, 13:21 Nga E. D
Berisha: 20 shkurti dita e kryengritjes më të madhe paqësore
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur gjatë konferencës për shtyp e quajti 20 shkurtin “ditën e kryengritjes më të madhe paqësore në histori” që do të ndiqet nga shqiptarët dhe vendet demokratike të botës. Gjatë fjalës së tij, Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet dhe për të mbrojtur veten nga krimet që ka kryer. Në fund, Lideri i opozitës deklaroi se qeveria e Ramës dhe ministrat e tij funksionojnë si një organizatë kriminale e strukturuar.

"Të gjitha këto janë dëshmi se Edi Rama po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet, për të mbrojtur veten nga krimet monstruoze që ka kryer. Unë u garantoj shqiptarëve se ajo që është lakuar me qindra e qindra herë se ai është kryetari i një organizate kriminale, ajo është 100 përqind e vërtetë. Se ministrat e tij janë anëtarë të kësaj organizate, ajo është 100 përqind e vërtetë.

Se Lubi Balluku mund të akuzohet si kapo jo e një grupi apo organizate të strukturuar kriminale, por minimumi të pesë të tilla. Më thoni ju mua, ju e ndoqët tunelin e Llogarasë, a nuk është kjo me Berberin, me ato anëtarët e tjerë të KVO-së, a nuk përbëjnë këta një grup të strukturuar kriminal? Në çdo lloj varianti këta janë vetëm një grup i strukturuar kriminal. A nuk janë tenderat e unazës së madhe një grup i strukturuar kriminal?

A nuk janë shitblerjet e energjisë një grup i strukturuar kriminal? Po marr këto, por janë plot të tjera. Gjithçka ka funksionuar mbi bazën e organizatave kriminale. Qytetarë dhe qytetare, sot më shumë se kurrë jeni të thirrur të merrni në dorë fatin tuaj, fatin e vendit tuaj, 20 shkurti është dita e kryengritjes më të madhe paqësore në histori që e pret çdo shqiptar, por që e presin mbarë vendet demokratike të Europës dhe të botës," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll