Aktualitet

Kultivim dhe trafikim i lëndëve narkotike, GJKKO jep dënimet për të akuzuarit (EMRAT)

Bujar Brahak u dënua me 10 vite burg, ndërsa Hertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj u dënuan me nga 8 vite burg secili.

13 Shkurt 2026, 16:13 Nga E.d
Kultivim dhe trafikim i lëndëve narkotike, GJKKO jep dënimet
Foto ilustruse

TIRANË- GJKKO ka caktuar dënimet për personat e akuzar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin e policisë Adriatik Logli. 

Xhuliano Aliu u dënua me 5 vite burgim, ndërsa Kristi Dautaj me 8 vite burg. Bujar Brahak u dënua me 10 vite burg, ndërsa Hertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj u dënuan me nga 8 vite burg secili. Dy të fundit përfituan ulje të dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Mes të akuzuarve ishin edhe Fejzo Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës. Gjithashtu ishte edhe Adriatik Logli, efektiv në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ata akuzoheshin për shpërdorim detyre. 

Sipas hetimeve të SPAK, janë evidentuar 13 episode kriminale që përfshijnë trafikim, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe kultivim të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Aktiviteti kriminal dyshohet se është zhvilluar nga pesë grupe të ndryshme kriminale gjatë periudhës mars–nëntor 2020.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Adriatik Logli, Kristi Dautaj dhe Xh.A”.


2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Olkeda Lice, Marinela Osmani dhe Matilda Fetahu, me vendimin nr. 14, datë 13.02.2026 vendosi:

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Adriatik Logli, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të pandehurit Kristi Dautaj me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

5. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.

6. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

7. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

8. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të riut në konflikt me ligjin Xh.A me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vjet burgim.

9. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.

10. Vuajtja e dënimit për të gjithë të pandehurit e dënuar me burgim në këtë vendim do të kryhet në burg të sigurisë së lartë.

11. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K.Pr.Penale, i ngarkohen të pandehurve të cilët deklarohen fajtorë, në mënyrë solidare.

12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.

13. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi./Dosja.al

gjkko lende narkotike denime

Sondazh

Poll