Politike

Mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese, Rama: Do ndërhyjmë në legjislacion, s'ka urgjencë për të hequr imunitetin

Me anë të një postimi në X, Rama ka bërë të ditur tre konkluzionet që kanë dalë nga mbledhja e grupit socialist ditën e sotme.

9 Shkurt 2026, 11:50 Nga DOSJA
Mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese, Rama: Do ndërhyjmë në
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për mosvendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një anëtari të qeverisë nga Gjykata e Posaçme. Me anë të një postimi në X, Rama ka bërë të ditur tre konkluzionet që kanë dalë nga mbledhja e grupit socialist ditën e sotme.

Rama ka njoftuar se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen e këtij problemi duke ndërhyrë në legjislacion. Ndërkohë që ka theksuar se me rivendosjen e masës së pezullimit, nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.  

Postimi i Plotë:

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga : 

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton. 

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion. 

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit. 

Një shtesë nga ana ime: 

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.

Sondazh

Poll