Politike

Mbahet sot seanca paraprake për dosjen Veliaj, GJKKO pritet të shpallë vendimin nëse kalon ose jo për gjykim

GJKKO pritet të shpallë sot vendimin, nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj do të kalojë ose jo për gjykim.

9 Shkurt 2026, 10:17 Nga D.S
Mbahet sot seanca paraprake për dosjen Veliaj, GJKKO pritet të
Erion Veliaj

TIRANË- Seanca paraprake për çështjen Veliaj do të mbahet sot në orën 12:00 në GJKKO. Gjykata e Posaçme pritet të shpallë sot vendimin, nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj do të kalojë ose jo për gjykim. Në seancën e kaluar të 2 shkurtit, gjyqtarja Etleva Deda mbylli shqyrtimin gjyqësor të dosjes dhe vendosi datën 9 shkurt për shpalljen e vendimit sot në 12:00.

Seanca e kaluar u zhvillua mes debateve, pasi kryebashkiaku Veliaj dhe avokatja e tij kryesisht, Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje pasi argumentojnë se ende nuk janë njohur me të gjithë dosjen hetimore. Ndërkohë, të premten u rrëzua kërkesa e Veliajt për përjashtimin e gjyqtares Deda dhe do të jetë kjo e fundit që sot pritet të shpallë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes Veliaj.

Arrestimi i Veliajt në shkurt 2025

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme./Dosja.al

erion veliaj spak gjkko

Sondazh

Poll