Aktualitet

Dosja e AKSHI-t/ Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit

Ndërsa për të pandehurit e tjerë në lidhje me këtë çështje, vazhdojnë të mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga shkalla e parë.

5 Shkurt 2026, 15:12 Nga E.d
 
Dosja e AKSHI-t/ Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë
Foto ilustruse

TIRANË- Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosura për të akuzuarit e dosjes së “AKSHI”-t. Bazuar në këtë vendim Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ndërsa për të pandehurit e tjerë në lidhje me këtë çështje, vazhdojnë të mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga shkalla e parë. Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj vijojnë të mbeten në kërkim.

Njoftimi zyrtar:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues
monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për
çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D,
E.I, R.Rr, A.P, G.H: “- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së
Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim
mase sigurimi personal. – Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së
Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:

Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z.

R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”.

Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit Agasi. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.

Po ashtu është dhënë masë pezullimi nga detyra dhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. SPAK gjithsej ka vendosur në masë sigurie 8 persona që janë Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta.

Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme prej gati një viti po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje.

Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Ndërsa në banesa dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit janë kontrolluar me urdhër të SPAK në muajin qershor./Dosja.al

mirlinda karçanaj hava delibashi gjkko 

Sondazh

Poll