Politike

Vjosa Osmani dhe Edi Rama, si veproi Kosova me anëtarësimin në Bordin e Paqes

Gjatë ditës se sotme, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar marrëveshjen për anëtarësimin në këtë bord, bashkë me Trump dhe me 18 shtete të tjera që pranuan ftesën. 

22 Janar 2026, 16:53 Nga Izmir Akulli
Vjosa Osmani dhe Edi Rama, si veproi Kosova me anëtarësimin në
Edi Rama dhe Vjosa Osmani

ZVICËR- Mënyra e procedimit të Kosovës në nënshkrimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes ditën e sotme ka dhënë një mesazh të fuqishëm në Shqipëri: si është radha e punëve demokratike. Gjatë ditës se sotme, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar marrëveshjen për anëtarësimin në këtë bord, bashkë me Trump dhe me 18 shtete të tjera që pranuan ftesën. 

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani u shpreh për mediat se anëtarësimi në organizata të tilla e fuqizon sovranitetin e Kosovës dhe pozicionin e tyre ndërkombëtar. Por ajo theksoi se marrëveshja, të cilën e quajti historike, pas nënshkrimit do ti dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e vendit. 

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit,” tha Osmani.

Ndërkohë që Rama zgjodhi një tjetër mënyrë, për këtë marrëveshje, duke e ratifikuar në Kuvend të panënshkruar. Kur u pyet se pse nuk ndodhej në Davos për të nënshkruar marrëveshjen, Rama u justifikua se zgjodhi që t'i përgjigjej ftesës së vajzës së Trump, Ivanka e cila ndodhej në Vlorë.  

“Që të mos shqetësoheni pse nuk isha atje, unë duhej të bëja një zgjedhje: të përgjigjesha ftesës së babait apo të mirëprisja vajzën në Shqipëri. Zgjodha vajzën, natyrisht me lejen e babait,“ u shpjegua Rama.

Por a është i vlefshëm ratifikimi i një marrëveshje të pafirmosur?

Ratifikimi i një marrëveshje, e cila nuk është firmosur nga kryeministri, në Kuvend është e pakuptim nga ana juridike. Kjo pasi marrëveshja duhej nënshkruar dhe më pas tu dërgohej me 'email' Kuvendit, në mënyrë që të bëhej ratifikimi i marrëveshjes po ditën e sotme, për shkak të procedurës së përshpejtuar që Kuvendi vendosi për këtë nisëm të presidentit Trump. 

Gazetarja Sonila Meço shkruan se mënyra se si qeveria vendosi të ratifikojë një marrëveshje të panënshkruar është përmbysje e radhës së punës. Sipas saj, Kosova firmosi si shtet dhe ratifikon marrëveshjet si demokraci. Ndërsa Shqipëria, sipas saj, ratifikon si mbledhje pallati për të fshehur faktin që nuk ka çfarë të firmos.  

“Kjo është përmbysja e radhës së punës: ratifiko një marrëveshje të panënshkruar. Vjosa Osmani ndodhej në krah të Trump në Davos, Edi Rama në krah të ministrave të vet në Tiranë. Njëra drejton një shtet 18 vjeçar e tjetri një shtet 114 vjeçar. Kosova firmos si shtet dhe ratifikon si demokraci. Shqipëria ratifikon si mbledhje pallati për të fshehur faktin se nuk ka çfarë të firmosë,“ shkruan Meço./Dosja.al

vjosa osmani edi rama bordi i paqes

Sondazh

Poll