Aktualitet

Propaganda e Ramës me ftesën e Trump për në “Bordin e Paqes”/ Enver Robelli: Krekoset për të hequr pak vëmendjen nga aferat korruptive

Me anë të një postimi në Facebook, Robelli shkruan se Rama sa nuk fluturoi në qiell, pas marrjes së ftesës.

19 Janar 2026, 21:46 Nga E. D
Propaganda e Ramës me ftesën e Trump për në “Bordin e
Enver Robelli

TIRANË- Gazetari Enver Robelli ka ironizuar propagandën e kryeministrit Edi Rama, pas marrjes së ftesës si kryeministër i Shqipërisë për të marrë pjesë në ‘Bordin e Paqes’. Me anë të një postimi në Facebook, Robelli shkruan se Rama sa nuk fluturoi në qiell, pas marrjes së ftesës.

Gazetari ka përmendur edhe pjesën ku është ftuar diktatori Bjellorus Aleksandar Lukashenko, i cili është diktatori më jetëgjatë në Europë. Robelli ka cituar edhe Donald Tusk, i cili nuk e ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes” për Gazën.

Në fund, gazetari shkruan se ka shtete që nuk tallen me vetveten, por ka dhe shtete që kanë kryeministra, të cilët, për të hequr pak vëmendjen nga aferat korruptive, krekosen me postime të njëpasnjëshme në media dhe sillen sikur të ishin emëruar guvernatorë të Gazës.

Enver Robelli:

Edhe diktatori bjellorus Lukashenko do të jetë në “Bordin e Paqes” për Gazën…
Mësimi i parë në politikë është ky: kurrë mos e përziej politikën e brendshme me politikën e jashtme. E pamë këto ditë se si kryeministri i Shqipërisë gati fluturoi në qiell nga gëzimi pasi Donald Trumpi e kishte ftuar të jetë pjesë e “Bordit të Paqes” për Gazën. Mesazhi i tij ndaj opinionit kritik ishte ky: “Mund të kritikoni sa të doni skandalet e pafundme korruptive të kabinetit tim, por unë dhe Trumpi luajmë në ligën e kampionëve”.

Ndërkohë u bë e ditur se shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka ftuar të jetë anëtar i “Bordi të Paqes” për Gazën edhe diktatorin bjellorus Aleksandar Lukashenko. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme në Minsk tha se presidenti Lukashenko e ka pranuar me gëzim ftesën. Lukashenko është diktatori më jetëgjatë në Europë. Qe tri dekada ai e ka shndërruar Bjellorusinë në vetëshërbim. Regjimi i tij ka burgosur mijëra njerëz. Disidentë, artistë, aktivistë politikë. Bjellorusia është një skëterrë sa i përket demokracisë.

Shteti fqinj i Bjellorusisë, Polonia madhështore, e përfaqësuar nga Donaldi tjetër, pra kryeministri Donald Tusk, nuk u kacagjelos fare lidhur me ftesat për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes” për Gazën. Në një postim në X, Donald Tusk shkroi: “Anëtarësimi i Polonisë në një organizatë ndërkombëtare kërkon pëlqimin e Këshillit të Ministrave dhe ratifikimin nga Sejmi (parlamenti). Qeveria do të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesi dhe siguria e shtetit polak. Dhe nuk do të lejojmë askënd që të na përdorë si lojtarë në skemat e tyre”.

Ka shtete që nuk tallen me vetveten. Ka shtete që respektojnë rregulla. Dhe ka shtete që kanë kryeministra, të cilët, për të hequr pak vëmendjen nga aferat korruptive, krekosen me postime të njëpasnjëshme në media asociale dhe sillen sikur të ishin emëruar guvernatorë të Gazës.osen me postime të njëpasnjëshme në media asociale dhe sillen sikur të ishin emëruar guvernatorë të Gazës.

enver robelli

Sondazh

Poll