Politike

Amnisti penale në fundvit/ Lamallari: 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, 900 të tjerë ulje dënimi

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Rama ka postuar fjalën e Lamallarit, ku shkruan se kjo nisme e qeverisë shqiptare është një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane. 

28 Dhjetor 2025, 18:04 Nga I.A
Amnisti penale në fundvit/ Lamallari: 380 persona përfitojnë
Besfort Lamallari

TIRANË- Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka njoftuar një amnisti penale ditën e sotme për të burgosurit. Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Rama ka postuar fjalën e Lamallarit, ku shkruan se kjo nisme e qeverisë shqiptare është një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane. 

Lamallari në fjalën e tij deklaron se nga amnistia penale do të përfitojnë 380 persona lirim të menjëhershëm ndërsa 900 të tjerë do të marrin ulje dënimi. 

Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, tha Lamallari.

Ministri tha se në kategorinë e përfituesve përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Ndërsa shtoi se nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, shprehet Lamallari.

Postimi i Plotë:

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, komunikon nismën e Qeverisë Shqiptare për amnistinë e ndërmarrë si një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane. Pjesë e një politike penale moderne, që synon rehabilitimin, uljen e mbipopullimit në burgje dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%. Të vendosur deri në fund për një drejtësi të drejtë, që mishëron sundimin e ligjit dhe humanizmin e respektin për dinjitetin njerëzor, sipas standardeve demokratike europiane.

amnisti penale besfort lamallari edi rama

Sondazh

Poll