Politike

"Paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit..."/ Rama në podcastin ‘Flasim: Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike

Në lidhje me këtë ai tha se kjo performancë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.

28 Dhjetor 2025, 09:49 Nga E.d
"Paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit..."/ Rama në
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se këtë javë, doli rezultati i tremujorit të tretë të vitit, ku ekonomia shqiptare u rrit me 3.75%. Gjatë podcasti-it të tij "Flasim", Rama u shpreh se të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2.3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor.

Në lidhje me këtë ai tha se kjo performancë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave. Rama tha se investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, kryesisht ë përqendruara në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia.

Sipas tij, rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës. Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8.1%, por punësimi është rritur në 69.6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës. Në fund ai tha se paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830 euro.

"Edhe këtë javë zhurma e 700 tenxhereve politike mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira - paçka se kjo që kaloi ishte edhe javë Krishtlindjesh.

Pikërisht, këtë javë, doli edhe rezultati i tremujorit të tretë të vitit, ku ekonomia shqiptare u rrit me 3.75% - një ritëm rritjeje mbi parashikimin dhe dukshëm më i lartë se sa mesatarja rreth e rrotull nesh, çka konfirmon performancën pozitive të ekonomisë sonë dhe reflekton një zgjerim të qëndrueshëm e të balancuar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet.

Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2.3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në rreth 1.9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%. Për ta bërë të prekshme për të gjithë, theksoj se kjo performancë e fortë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.

Po ashtu, besimi i investitorëve mbeti i fortë edhe në tremujorin e tretë. Investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, me një rritje vjetore prej 10%, të përqendruara kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia.

Jo vetëm kaq, po rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës. Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8.1%, por punësimi është rritur në 69.6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76.5%. Paralelisht dhe përsëri për ta bërë të prekshme gjithçka po them, paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830 euro, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga puna dhe një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të familjeve," tha Rama./Dosja.al

edi rama turizmi paga

Sondazh

Poll