Politike

Berisha: Qytetarët duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Edi Ramës është revolta e qëndrueshme dhe paqësore

Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se opozita ka organizuar në historikun e saj protesta nga më madhështoret dhe revolta nga më të suksesshmet.

24 Dhjetor 2025, 13:31 Nga E.d
Berisha: Qytetarët duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Edi
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se qytetarët duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Edi Ramës është revolta e qëndrueshme dhe paqësore. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se opozita ka organizuar në historikun e saj protesta nga më madhështoret dhe revolta nga më të suksesshmet. Nga zyra e selisë blu, lideri demokrat tha se eksperienca botërore fakton se kjo është rruga më e suksesshme.

"Tani, kjo opozitë ka organizuar në historikun e saj protesta nga më madhështoret, revolta nga më të suksesshmet. Po, e ka këtë histori. Ka përmbysur njëherë sistemin e diktaturës, pastaj sistemin e krimit që erdhi me dhunë në vitin 1997, me votë. Por ka një gjë kjo. Kjo opozitë, jo se i mungon krejtësisht, jo, nuk i mungon krejtësisht se në qoftë se u kujtohet në vitin 1998, ne kemi protestuar 50 ditë me radhë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, pra nuk është se nuk kemi përdorur protestën e zgjatur, por ajo ka mbetur e paçiftuar.

Ndaj dhe tani, qytetarët opozitarë dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Edi Ramës nuk është absolutisht me armë, por me revoltë të qëndrueshme, paqësore, gjer në largimin e tij. Dhe në këtë drejtim, eksperienca botërore fakton se kjo është rruga më e suksesshme. Opozita duhet ta ketë shumë të qartë se vetëm revolta e përditshme e qëndrueshme është rruga për ta nisur atë ku e kanë vendin narkodiktatorët dhe diktatorët. Ne kemi besim shumë të madh se do realizohet." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha opozita edi rama

Sondazh

Poll