Politike

BE "ndëshkon" ashpër Shqipërinë për shkelje! Qeveria shqiptare skualifikohet nga Ministeriali i Energjisë: Moszbatim i rregullave europiane

Vendimi, i miratuar më 18 dhjetor 2025, lidhet me çështjen ECS-5/24, e hapur pas një kërkese të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në maj 2024. Pas shqyrtimit të situatës, Këshilli ka arritur në përfundimin se Shqipëria nuk ka harmonizuar në kohë legjislacionin e saj me rregullat e BE-së për tregun e energjisë elektrike.

23 Dhjetor 2025, 11:37 Nga DOSJA

BE "ndëshkon" ashpër Shqipërinë për shkelje!

TIRANA- Shqipëria është skualifikuar nga pjesëmarrja në Ministerialin e Energjisë së Bashkimit Europian, pas vendimit të Këshillit Ministerial të Komunitetit të Energjisë, që konstatoi se vendi nuk ka përmbushur detyrimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të cilin e ka nënshkruar prej vitesh në kuadër të integrimit europian.

Vendimi, i miratuar më 18 dhjetor 2025, lidhet me çështjen ECS-5/24, e hapur pas një kërkese të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në maj 2024. Pas shqyrtimit të situatës, Këshilli ka arritur në përfundimin se Shqipëria nuk ka harmonizuar në kohë legjislacionin e saj me rregullat e BE-së për tregun e energjisë elektrike.

Në këtë vendim thuhet se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do ndërmarrë në korrigjimin e problemeve të konstatuara ne politikat e Energjisë.

Sipas dokumentit zyrtar, vendi ynë duhej të kishte miratuar dhe zbatuar një paketë ligjesh që përfshinte:

- Përditësimin e ligjit për tregun e energjisë elektrike;
- Hapjen graduale të tregut sipas standardeve europiane;
- Vendosjen e rregullave të qarta për prodhuesit, furnizuesit dhe operatorët e rrjetit;
- Garantimin e konkurrencës dhe transparencës në treg;
- Miratimin e akteve nënligjore për zbatimin praktik të ligjit.

Këto ndryshime duhej të ishin të përfunduara dhe të raportuara deri më 31 dhjetor 2023, por sipas Komunitetit të Energjisë, Shqipëria nuk i ka përmbushur afatet, duke shkaktuar kështu shkelje të traktatit.

VENDIM I KËSHILLIT MINISTROR TË KOMUNITETIT TË ENERGJISË TË BE:

2025/03/MC-EnC – Mos-përputhje e Shqipërisë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë (Çështja ECS-5/24)
Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë konstaton se:
Neni 1 – Mos-përmbushje nga Shqipëria
Shqipëria ka dështuar të miratojë dhe zbatojë, deri më 31 dhjetor 2023, legjislacionin, rregulloret dhe aktet administrative të nevojshme për t’u përputhur me:
–Direktivën (BE) 2019/944 (tregu i brendshëm i energjisë elektrike),
–Rregulloren (BE) 2019/941 (përgatitja ndaj rreziqeve në sektorin e energjisë),
–Rregulloret (BE) 2019/942 dhe 2019/943,
si dhe një sërë rregulloresh teknike të BE-së mbi:
–alokimin e kapaciteteve,
–menaxhimin e kongjestionit,
–balancimin e energjisë,
–emergjencat dhe operimin e sistemit të transmetimit.
Gjithashtu, Shqipëria nuk ka njoftuar Sekretariatin për masat përkatëse, duke shkelur:
–vendimet e Komunitetit të Energjisë të viteve 2021 dhe 2022,
–si dhe nenet 6 dhe 89 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Neni 2 – Veprimet pasuese
1.Shqipëria duhet të marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për të korrigjuar shkeljen dhe për t’u përputhur me të drejtën e Komunitetit të Energjisë.
2.Shqipëria duhet të raportojë rregullisht gjatë vitit 2026 mbi masat e marra.
3.Nëse shkelja nuk korrigjohet deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të nisë procedurë sanksionuese sipas Nenit 92 të Traktatit.
Neni 3 – Hyrja në fuqi
Vendimi u drejtohet palëve dhe institucioneve të Traktatit dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.
Miratuar në Vjenë, më 18 dhjetor 2025.

ministeriali i energjisë së be

Sondazh

Poll