Aktualitet

Pedagogia Ingrid Konomi kandidon për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Prej vitesh e angazhuar në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në Departamentin e Financës, Konomi përfaqëson një profil që ndërthur në mënyrë natyrale ekspertizën akademike me përvojën në administratën publike.

13 Dhjetor 2025, 20:38 Nga I.A
Pedagogia Ingrid Konomi kandidon për Këshillin Mbikëqyrës
Ingrid Konomi

TIRANË- Pedagogia dhe studiuesja e financës, Ingrid Konomi (Prof. Asoc. Dr.), është zyrtarisht një nga kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një institucion kyç për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Prej vitesh e angazhuar në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në Departamentin e Financës, Konomi përfaqëson një profil që ndërthur në mënyrë natyrale ekspertizën akademike me përvojën në administratën publike. Ajo është autore e disa artikujve shkencorë mbi inflacionin, kursin e këmbimit dhe tregjet financiare, duke u konsideruar një zë i kualifikuar për të analizuar dhe adresuar sfidat aktuale të ekonomisë shqiptare.

Në një proces ku shpesh vërehet rikthimi i të njëjtëve emra në poste të larta institucionale, kandidatura e Ingrid Konomit spikat si një prurje e re. Ky fenomen i përsëritur i “rrotacionit të mbyllur” ka kufizuar ndër vite përfshirjen e profesionistëve me vizion bashkëkohor dhe formim të fortë akademik.

Për këtë arsye, për shumë vëzhgues dhe ekspertë të fushës, Konomi përfaqëson një vlerë të shtuar jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por edhe për kulturën institucionale në tërësi. Kandidatura e saj shihet si një mundësi për të sjellë cilësi, profesionalizëm dhe vendimmarrje të mbështetur në analiza dhe fakte.

Në një moment kur nevoja për zëra të rinj, të pavarur nga ciklet politike dhe të pajisur me njohuri moderne është më e madhe se kurrë, përfshirja e një profili si Ingrid Konomi do të përbënte një sinjal të fortë për forcimin e institucioneve të pavarura.

Ingrid Konomi mbetet kështu një nga kandidaturat që përfaqëson më qartë frymën e rinovimit dhe integritetit, një përfaqësuese e brezit akademik që mund të kontribuojë me vizion dhe përgjegjësi në drejtimin e Bankës së Shqipërisë./Dosja.al

ingrid konomi

Sondazh

Poll