Politike

Zgjedhja e Avokatit të Popullit/ Ironizon Tedi Blushi: Po miratoni avokatin e djallit

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Blushi u shpreh se mazhoranca përfaqëson  axhendën e George Sorosit.

11 Dhjetor 2025, 13:29 Nga E.d
Zgjedhja e Avokatit të Popullit/ Ironizon Tedi Blushi: Po miratoni avokatin
Tedi Blushi

TIRANË- Deputeti i Partisë Liria, Tedi Blushi ka deklaruar ditën e sotme se deputetët e opozitës janë tërhequr, nga të gjitha firmat e dhëna në mbështetjen e kandidaturave. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Blushi u shpreh se mazhoranca përfaqëson  axhendën e George Sorosit.

Nga Kuvend, Blushi tha se opozita po sqaron se nuk mbështet asnjë kandidat nga ata, të cilët mazhoranca ka kaluar sot për miratim në seancë. Deputeti tha se është momenti për të folur për shqiptarët dhe jo për shëmtirat politike dhe njerëzore që mazhoranca don t'i paraqes para avokatit të popullit. Në fund, Blushi deklaroi se po votohet avokati i djallit, sepse axhenda Soros është axhenda e djallit.

"Është e drejta juaj të vazhdoni në këtë axhendë, por meqë jemi tek aspekti procedural, dua t'ju kujtoj se kandidat për avokat të popullit nuk të bën shprehja e vullnetit të kandidatit, por të bën firma e deputetit. Deputetët janë tërhequr, deputetët e opozitës, nga të gjitha firmat e dhëna në mbështetjen e kandidaturave. Ju doni të avanconi me një kandidat që në vlerësimin tim është një shëmti politike. Shumë mirë që doni të vazhdoni me këtë kandidat, sepse po u tregoni të gjithë shqiptarëve se jeni të vendosur për të vazhduar thellimin e axhendës së George Sorosit në Shqipëri. Keni gjetur kandidatin e duhur.

Një shëmti politike që ju përfaqëson sot më së miri. Megjithatë, unë mendoj se këto dy orë të djegura për një debat shterpë, pra, ju jeni të vendosur për të kapur të gjitha pushtetet për të shkatërruar shtetin, por të paktën duhet të diskutonim për buxhetin e vitit të ardhshëm, sepse kjo çështje besoj, është çështje vullneti politik, kjo e avokatit të popullit. Nuk është çështje procedurale. Doni ta kapni dhe këtë pushtet? Kapeni.

Keni zgjedhur shëmtirën më të denjë që ju përfaqëson ju dhe axhendën tuaj, axhendën e George Sorosit. Këtë u thoni shqiptarëve sot. Ta gëzoni kandidatin në qoftë se doni të vazhdoni me këtë axhendë, por mos u përpiqni t'i justifikoni me pretendimin se këtë kandidat e ka zgjedhur opozita. Opozita qartësisht po sqaron se nuk mbështet asnjë kandidat nga këta të cilët ju, në mënyrë antikushtetuese, sepse rregullorja buron nga Kushtetuta, i keni kaluar sot për miratim në seancë. Është në turpin tuaj të vijoni axhendën e ligjit me 77 vota, anti-familje, po zgjidhni dhe njeriun e duhur që përfaqëson axhendën tuaj. Vazhdoni, jeni në rrugën e duhur të shkatërrimit të shtetit.

Megjithatë, dua, dua t'ju kujtoj që është momenti për të folur për shqiptarët dhe jo për shëmtirat politike dhe njerëzore që doni t'i paraqisni para avokatit të popullit. Ju sot nuk po miratoni avokatin e popullit, po miratoni avokatin e djallit, sepse axhenda Soros është axhenda e djallit, po miratoni avokatin anti-familje, avokatin që do miratojë të gjithë shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut. Faleminderit," tha Blushi./Dosja.al

tedi blushi kuvend opozita

Sondazh

Poll