Politike

Berisha: Brukseli të hetojë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e kampusit në Tiranë

Lideri i opozitës theksoi se hetimi duhet të përfshijë të gjitha emailet dhe mesazhet SMS, përfshirë komunikimet e kryera përmes telefonave të koduar Sky ECC dhe Matrix, të cilët Rama i ka përdorur në raste të tjera të dyshuara për korrupsion ndërkombëtar.

3 Dhjetor 2025, 12:00 Nga E. D
Berisha: Brukseli të hetojë marrëveshjen e fshehtë
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Parisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët i bëri thirrje organeve ndërkombëtare të drejtësisë, të hetojnë marrëveshjen e fshehtë mes Kreyministrit Edi Rama dhe Federica Mogherinit për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.

Lideri i opozitës theksoi se hetimi duhet të përfshijë të gjitha emailet dhe mesazhet SMS, përfshirë komunikimet e kryera përmes telefonave të koduar Sky ECC dhe Matrix, të cilët Rama i ka përdorur në raste të tjera të dyshuara për korrupsion ndërkombëtar. Kryedemokrati shtoi gjithashtu se opozita shqiptare, që ka si mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve korruptive nga qeveria e Tiranës.

"Ndaj, duke shprehur vlerësimin më të lartë për EPPO, OLAF dhe prokurorinë e Mbretërisë së Belgjikës, ju bëj thirrje të hetojnë marrëveshjen e fshehtë Rama–Mogherini për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë. Ju bëj thirrje të hetojnë të gjitha emailet dhe SMS-të që Rama ka shkëmbyer me Lubi Mogherinin për këtë çështje dhe, në veçanti, të hetohen komunikimet e tyre me telefona të koduar Sky ECC, Matrix, të cilët është vërtetuar se Rama i ka përdorur në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar.

Shqiptarët do ta vlerësonin shumë hetimin e lobingut që Mogherini ka bërë për Edi Ramën, për sukseset e tij imagjinare dhe mbulimin e mega-skandaleve të tij në Bruksel, dhe në veçanti angazhimin e saj kundër opozitës shqiptare.

Ju bëj thirrje këtyre organeve të hetojnë aferat korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij—dyshen Mogherini–Vllahutin—në blerjen e vilës për ambasadorin e BE-së me çmim 2–3 herë më të lartë se tregu; të hetojnë abuzimet e mëdha të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij me fondet e taksapaguesve europianë për bujqësinë, energjinë dhe mjedisin, të denoncuara nga opozita njëlloj si kampusi i Kolegjit në Tiranë, në interesin më të mirë të taksapaguesve europianë, por edhe të qytetarëve shqiptarë që duhet të ishin përfitues të këtyre fondeve që vidhen nga kleptokratët e Tiranës.

Opozita shqiptare, që ka si mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve korruptive nga qeveria e Tiranës," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll