Politike

Berisha: Mogherini dhe Ramaduro të përfshirë në skandalin 17 milionë euro të Kolegjit Europian në Tiranë

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se për këtë qëllim, Rama ka përdorur truallin e parashikuar për ndërtimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Tiranës.

3 Dhjetor 2025, 11:43 Nga I.A
Berisha: Mogherini dhe Ramaduro të përfshirë në skandalin 17
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i PD-së Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Federica Mogherinin se përmes një marrëveshje të fshehtë korruptive kanë vendosur të ndërtohet me 17 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë kampusin e Kolegjit Bryzh në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se për këtë qëllim, Rama ka përdorur truallin e parashikuar për ndërtimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Tiranës.

Berisha thotë se rektorja e Kolegjit të Europës, së bashku me Ramën kanë fryrë për interesa korruptive koston e jetesës për studentët e Kolegjit Europian në Tiranë.

"Dy Lubitë dhe Ramaduro në mes. Pas skandalit të vjedhjes së 50 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë në tenderin e tunelit të Llogarasë nga Ramaduro dhe Lubi Balluku, plas skandali tjetër i vjedhjes së miliona e miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë me kampusin e Kolegjit Evropian në Tiranë dhe me bursat e studentëve të përcaktuara nga Lubi Mogherini dhe Ramaduro, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. E përbashkëta e këtyre dy skandaleve të përmasave ndërkombëtare është se në të dyja del protagonist kryesor Edi Rama, njëheras kryeministri më i korruptuar i Europës.

Me një marrëveshje të fshehtë me qeverinë shqiptare, që nuk është publikuar sepse është korruptive, është vendosur të ndërtohet me 17 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë kampusi i Kolegjit Bryzh duke marrë pikërisht për këtë qëllim truallin e parashikuar për ndërtimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Tiranës, për të cilin ekzistonte edhe projekti i kampusit. Po kështu për të vazhduar vjedhjen e parave, Federica Mogherini dhe Ramaduro e vlerësimet e tyre kanë fryrë për interesa korruptive koston e jetesës për studentët e Kolegjit Europian në Tiranë dhe kanë caktuar si bursë shumën 27 mijë euro kundrejt 29 mijë euro që është shumë për studentët që studiojnë në Belgjikë në Kolegjin e Bryzhit.

Ndërkohë që rroga mesatare në Shqipëri është 5 herë më e ulët se rroga mesatare në Mbretërinë e Belgjikës.
Përveç këtyre, me një marrëveshje sekrete që në kundërshtim me ligjin nuk u publikua kurrë, është ndryshuar duket edhe destinacioni i Piramidës, e cila me një shumë prej 16 milionë euro, u rikonstruktua për të funksionuar si qendër e teknologjisë së lartë për të rinjtë shqiptarë, por sipas njoftimeve të medias del se i është dhënë Kolegjit Europian në Tiranë, në përdorim apo në pronësi, këtë askush nuk e di," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll