Aktualitet

Tre mijë euro për të favorizuar autorin e një plagosjeje në Dibër! GJKKO jep dënimin për tre personat, mes tyre dy zyrtarë policie (EMRAT)

Shuip Cami, ish-oficer i Policisë Gjyqësore, u shpall fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Ai u dënua fillimisht me tre vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në dy vite.

27 Nëntor 2025, 14:21 Nga M.L
Tre mijë euro për të favorizuar autorin e një plagosjeje
Foto ilustruese

DIBËR- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen ku përfshiheshin tre persona, përfshirë dy zyrtarë policie. Shuip Cami, ish-oficer i Policisë Gjyqësore, u shpall fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë.

Ai u dënua fillimisht me tre vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në dy vite. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.

Ndërkohë, Flamur Kurti u shpall fajtor për korrupsion aktiv dhe u dënua me një vit burg, i reduktuar në tetë muaj pas uljes me një të tretën. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe e vendosi Kurtin në provë për 16 muaj, gjatë së cilës ai duhet të qëndrojë në kontakt me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Në të njëjtën çështje, Fluturim Bajrami u shpall i pafajshëm, pasi gjykata arriti në përfundimin se veprimi i tij nuk përbën vepër penale lidhur me akuzën për korrupsion aktiv ndaj personave me funksione publike.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit ndaj të pandehurve, kthimin e disa provave materiale pas përfundimit të procesit dhe ngarkimin e shpenzimeve të hetimit dhe ato gjyqësore ndaj Shuip Camit dhe Flamur Kurtit./ Dosja.al

gjkko shuip cami flamur kurti fluturim bajrami

Sondazh

Poll