Aktualitet

Atentati mafioz ndaj Gilmando Danit në Rinas! Policia dhe hetimet në "errësirë" totale, merren në pyetje persona të rrezikshëm, ende asnjë gjurmë e autorëve

Mësohet se pavarësisht verifikimeve të kryera në vendngjarje dhe marrjes në pyetje të disa personave me precedentë dhe rrezikshmëri të lartë, autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të sulmit.

19 Nëntor 2025, 18:29 Nga M.L
Atentati mafioz ndaj Gilmando Danit në Rinas! Policia dhe hetimet në
Atentati, viktimat, foto ilustruese

TIRANA- Një javë pas atentatit të rëndë të ndodhur në zonën e Rinasit, ku u vra në vendngjarje Gilmando Dani dhe ndërrroi jetë disa ditë më vonë në spital miku i tij, agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Muçi Shaljani, hetimet e Policisë dhe Prokurorisë vijojnë ende pa një drejtim të qartë.

Mësohet se pavarësisht verifikimeve të kryera në vendngjarje dhe marrjes në pyetje të disa personave me precedentë dhe rrezikshmëri të lartë, autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të sulmit. Sakaq policia është përqendruar tek grupet kriminale në Nikël dhe në Fushë-Krujë si të dyshuar për atentatin nga ku dyshohet të jetë dhënë edhe urdhri për shkak të përplasjeve të vjetra mes grupeve rivale.

Hetuesit kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe gjurmët e mbetura në vendin e krimit, por deri tani nuk është gjetur asnjë element i vlefshëm që të orientojë hetimet drejt një piste të caktuar. Sipas burimeve, autorët kanë vepruar me kujdes dhe profesionalizëm, duke shmangur lënien e provave që mund t’i ekspozonin.

Por kush është Gilmando Dani dhe çfarë e lidh me Emiljano Shullazin?

Gilmando Dani është konsideruar gjithnjë si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin. Dani është akuzuar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti. Pas ngjarjes, kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se Dani ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.

Ndërsa, në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Ndërkohë, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.

Në atë kohë, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin.  Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.

Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate. Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.

Gjithashtu ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.  Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe më pas u lirua në vitin 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.

Si ndodhi ngjarja?

Atentati mafioz ndodhi mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili ndërroi jetë pas pesë ditësh në gjendje kritike në Spitalin e Traumës. Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.

Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer.  Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil./ Dosja.al

ekzekutimi i gilmando danit muçi shaljani atentati ne rinas

Sondazh

Poll