Politike

Memli Krasniqi jep dorëheqjen si kreu i PDK-së: Ka qenë nder të udhëhiqja partinë

Krasniqi më herët paralajmëroi një konferencë për media pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së partisë.

12 Nëntor 2025, 15:35 Nga E. D
Memli Krasniqi jep dorëheqjen si kreu i PDK-së: Ka qenë nder
Memli Krasniqi

KOSOVË- Memli Krasniqi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Duke reflektuar për periudhën katërvjeçare të udhëheqjes së tij, Krasniqi vlerësoi se PDK është forcuar dhe rritur ndjeshëm në skenën politike, megjithatë theksoi se çdo organizatë e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje.

“Ka qenë nder të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës. Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Ai shtoi se PDK-ja ka nevojë për të krijuar “një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.

Dorëheqja e tij vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandat të dytë në qershor. Ai e kishte marrë drejtimin e partisë në vitin 2021. Krasniqi njoftoi se do ta mbledhë konventën e partisë më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri.

Gjatë udhëheqjes së tij, PDK-ja doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke i fituar 24 ulëse, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër. Krasniqi tha se nuk e di se kush do të garojë për kryetar të partisë në konventën e së hënës, por shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.

Krasniqi ka qenë pjesë e PDK-së për rreth dy dekada, fillimisht si kryetar i të rinjve të partisë e më pas nënkryetar i partisë para se të zgjidhej kryetar më 2021. Nën udhëheqjen e tij, PDK-ja përveç që doli e dyta në zgjedhje nacionale, ajo i fitoi gjashtë komuna në zgjedhje lokale të këtij viti, duke pësuar një rënie të vogël në nivel lokal./Dosja.al

memli krasniqi kosove pdk

Sondazh

Poll