Politike

"SHBA po anonte nga UÇK-ja dhe po linte anash LDK-në", Christopher Hill dëshmon në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit: Nuk kishte një hiearki të mirëfilltë

Ai tha se përshtypja e tij ishte që Thaçi nuk ishte një figurë vendimmarrëse brenda UÇK-së, pasi kujtoi se gjatë negociatave në Rambuje atij i duhej të konsultohej paraprakisht me të tjerët brenda UÇK-së dhe nuk mund të merrte vendime krye më vete.

12 Nëntor 2025, 14:57 Nga M.L
"SHBA po anonte nga UÇK-ja dhe po linte anash LDK-në",
Christopher Hill

Gjatë dëshmisë treditore në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, diplomati amerikan Christopher Hill foli për rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në negociatat në Rambuje.

Ai tha se përshtypja e tij ishte që Thaçi nuk ishte një figurë vendimmarrëse brenda UÇK-së, pasi kujtoi se gjatë negociatave në Rambuje atij i duhej të konsultohej paraprakisht me të tjerët brenda UÇK-së dhe nuk mund të merrte vendime krye më vete.

Në ditën e tretë të dëshmisë, trupi gjykues e pyeti Hillin nëse UÇK-ja ishte e strukturuar dhe ai përsëriti qëndrimin se nuk kishte një hierarki të mirëfilltë.

Megjithatë, ai tha se UÇK-ja tentonte të binde SHBA-në se ishte një organizatë dhe ushtri e strukturuar mirë.

Gjykatësit e pyetën edhe për takimet e tij me udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq. Hill tha se Millosheviq shqetësohej që SHBA-ja po anonte nga UÇK-ja dhe po linte anash LDK-në.

Po ashtu, nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, sipas tij, hodhi poshtë pretendimin e Millosheviqit se shqiptarët nuk mund të bëheshin bashkë e të pajtoheshin për ndonjë gjë.

Hill përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në ditët paraprake të dëshmimit, se nuk mendonte se Thaçi ishte një nga themeluesit e UÇK-së, nuk e dinte kush ishte përgjegjës në UÇK dhe kush i lëshonte komunikatat.

Diplomati amerikan në pension edhe në ditën e tretë të dëshmisë përsëriti se nuk kishte informacione se Thaçi ishte përshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të shkeljes të të drejtave të njeriut./ REL

christopher hill jep deshmi ne hage

Sondazh

Poll