Politike

Maratona e shqyrtimit të buxhetit 2026! Ministri Malaj: Kryefjala është rritja e mirëqenies sociale! Do rriten pensionet me...

Sipas ministrit, masat e parashikuara nuk përbëjnë vetëm ndërhyrje sociale, por përfaqësojnë edhe një politikë strukturore, e mbështetur në konsolidimin ekonomik dhe të ardhurat e qëndrueshme buxhetore.

10 Nëntor 2025, 10:49 Nga M.L
Maratona e shqyrtimit të buxhetit 2026! Ministri Malaj: Kryefjala
Foto ilustruese

TIRANA- Ministri i Financave, Petrit Malaj, paraqiti sot në Komisionin e Ekonomisë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ku theksi kryesor bie mbi pensionet. Sipas ministrit, masat e parashikuara nuk përbëjnë vetëm ndërhyrje sociale, por përfaqësojnë edhe një politikë strukturore, e mbështetur në konsolidimin ekonomik dhe të ardhurat e qëndrueshme buxhetore.

Ai shtoi më tej se kryefjala e këtij prjektbuxheti është mirëqenia sociale dhe më pas vijon me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve dixhitale, por edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor.

“Vëmendja jonë dhe kryefjala e këtij projektbuxheti është padyshim rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve dixhitale, por edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor. Themelore e buxhetit është pa diskutim reforma e pensioneve, që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030. Të moshuarit, kjo kategori e nderuar, do të marrë mbështetje direkte financiare nga buxheti i shtetit.

Duke filluar nga janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore, do të zbatojmë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët bazuar në kategorinë e pensionit që ata përftojnë aktualisht. Dhe më konkretisht, do të kemi rritje me 1800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune. Do të kemi rritje me 8000 lekë ose 800 lekë në muaj për pensionet urbane të pjesshëm. Do të kemi një rritje me 1000 lekë në muaj për pensionet rurale. Do të kemi një rritje me 700 lekë në muaj për pensionet familjare. Do të kemi një rritje me 600 lekë në muaj për pensionet e invaliditetit në publik.

Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të mandatit, efekti kumulativ për periudhën 2026-2030, llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro për buxhetin e shtetit. Kjo ndërhyrje e parashikuar financiarisht në buxhetin e shtetit, nuk është një masë thjesht sociale, por një politikë strukturore që mbështetet mbi bazat e konsolidimit ekonomik, por edhe të të ardhurave të qëndrueshme buxhetore. Nëpërmjet saj, ne synojmë t'i kthejmë brezit të të moshuarve, vlerësimin dhe dinjitetin e merituar, por duke forcuar njëkohësisht edhe besueshmërinë në sistemin e pensioneve”, tha Malaj.

petrit malaj

Sondazh

Poll