Politike

"Një manual korrupsioni"/ Bardhi: Tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar

Sipas tij, vetë Balluku ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit, pasi oferta fituese ishte 50 milionë euro më e ulët se llogaritë e bëra prej saj.

5 Nëntor 2025, 11:55 Nga I.A
"Një manual korrupsioni"/ Bardhi: Tenderi për tunelin e
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është zyrtarisht e pandehur që prej 31 tetorit për veprën penale të 'shkeljes së barazisë në tendera'. Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka qenë i paracaktuar.

Sipas tij, vetë Balluku ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit, pasi oferta fituese ishte 50 milionë euro më e ulët se llogaritë e bëra prej saj.

"Të dashur shqiptarë, siç e keni parë, më 31 tetor Shqipëria zyrtarisht ka numrin dy të qeverisë të pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Për këtë arsye, propaganda qeveritare, e bërë edhe pak minuta më parë për progres në rrugën e Shqipërisë drejt Europës, rrëzohet nga faktet tronditëse të dosjes korruptive për abuzimin me pushtetin të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Faktet tregojnë se nuk ka asgjë europiane në qeverisjen e Edi Ramës dhe se korrupsioni ka hyrë në zemër të qeverisë së tij. Dosja hetimore për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është zyrtarisht e pandehur prej 31 tetorit, ekspozon qartë mënyrën se si funksionon pushteti i Edi Ramës.

Tenderat publikë paracaktohen sipas llogarive korruptive të Edi Ramës dhe vartësve të tij. Procedurat shkelen nga institucionet përgjegjëse me urdhër politik dhe shteti përdoret për interesat e pushtetit, interesat korruptive të zyrtarëve të lartë dhe jo për interesat e qytetarëve. Dosja Balluku nuk është një rast i izoluar, por është modeli i qeverisjes së Edi Ramës. Belinda Balluku është shembulli që tregon se abuzimi me pushtetin është kthyer në rregull dhe jo në përjashtim.

Përballë këtij realiteti, çdo fjalë që dëgjoni sot, dje apo nesër për progres në rrugën europiane të Shqipërisë është hipokrizi dhe tallje e madhe me qytetarët shqiptarë. Të dashur qytetarë, në dosjen e Prokurorisë, të cilën dua ta përshëndes për guximin dhe integritetin që ka treguar në hetimin e vetëm të këtij segmenti ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, rezulton qartë se tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar'," tha Bardhi./Dosja.al

gazment bardhi

Sondazh

Poll