Politike

Dumani nga Kuvendi: Patronazhimi nuk është krim, penalizojeni me ligj dhe ne ndërhyjmë

Sa i përket krimeve zgjedhore, Kreu i SPAK tha se është verifkuar çdo pretendim dhe kallëzim.

27 Tetor 2025, 18:28 Nga E. D
Dumani nga Kuvendi: Patronazhimi nuk është krim, penalizojeni me ligj
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i SPAK Altin Dumani, duke folur në Kuvend tha se Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa hetues mbi vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Por sipas Dumanit këto hapa janë konkluduar me mosfillim të procedimit penal. Po ashtu Dumani u shpreh se patronazhimi në Shqipëri nuk është krim dhe ata nuk mund t'i hetojnë. 

“Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë. 

Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë. 

Unë e kam përmendur edhe herë të tjera: SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike. 

Prokurori i ngarkuar që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt, ka qartësuar situatën dhe kemi verifikuar se nuk ishte kompetencë e jonë. Ne kemi deputetin subjekt të posaçëm, jo dhunën që ushtrohet ndaj një deputeti. Ne kemi verifikuar prokurorinë e Tiranës dhe i kemi kërkuar verifikimeve të shpejta”, tha Dumani./Dosja.al

altin dumani

Sondazh

Poll