Aktualitet

“Vuçiç po përgatit serbët për agresion”, tensione mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në OKB: Kurti po bën spastrim etnik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksuan qëndrimin e tyre se në Kosovë nuk ekziston më një kërcënim serioz për sigurinë dhe kërkuan mbylljen e misionit të UNMIK-ut. Ata gjithashtu mbështetën ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku mbeti i vrarë një oficer i Policisë së Kosovës.

22 Tetor 2025, 15:07 Nga M.L
“Vuçiç po përgatit serbët për
Foto ilustruese

KOSOVA- Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), është shoqëruar me tensione mes përfaqësuesve të shteteve dhe palëve të përfshira. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksuan qëndrimin e tyre se në Kosovë nuk ekziston më një kërcënim serioz për sigurinë dhe kërkuan mbylljen e misionit të UNMIK-ut. Ata gjithashtu mbështetën ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku mbeti i vrarë një oficer i Policisë së Kosovës.

Raporti vuri në dukje disa zhvillime pozitive, si mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe takimet e fundit mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE. Megjithatë, UNMIK dhe partnerët ndërkombëtarë shprehën shqetësim për vendimin e autoriteteve të Prishtinës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të vendit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kritikoi ashpër raportin duke e cilësuar si “të anshëm dhe të paplotë”, dhe theksoi se Serbia paraqet kërcënimin e vërtetë për stabilitetin në rajon.

“Në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe u vlerësuan nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor, me angazhimin më të fortë pro-NATO dhe pro-BE në botë. Por ndërkohë, ne cdo ditë po shohim një makinë propagande nën kontrollin e Aleksandar Vuçic, e cila po helmon sistematikisht shoqërinë serbe dhe po e përgatit publikun për agresion kundër vendit tone. Serbia tregoi se ishte e gatshme për luftë dhe se njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, Milan Radojçic, ishte krahu i djathtë i Vuçicit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi regjimin në Serbi, sepse nëse nuk ka pasoja, ata do ta përshkallëzojnë situatën edhe më tej”, shprehet Gërvalla.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuric e mbështeti nga ana tjetër raportin e  UNMIK-ut si të balancuar dhe realist, ndërsa vlerësoi se të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë po përkeqësohen sistematikisht dhe se numri i incidenteve me motive etnike është rritur.

“Që nga koha kur Albin Kurti erdhi në pushtet, janë regjistruar 37 incidente kundër anëtarëve të komunitetit serb. Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm një tragjedi serbe, por një dështim moral për të vepruar. Kurti po bën një spastrim të qetë etnik”, shprehet Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm serb.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog./ Dosja.al

Sondazh

Poll