Bota

Zgjedhjet lokale në RMV! Partia në pushtet VMRO-DPMNE kryeson me 34 komuna të fituara, VLEN dhe AKI renditen pas saj, 33 komuna shkojnë në balotazh

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë numëruar votat në 3472 nga gjithsej 3474 vendvotime, që përfaqëson 99.94% të rezultatit.

20 Tetor 2025, 08:58 Nga M.L
Zgjedhjet lokale në RMV! Partia në pushtet VMRO-DPMNE kryeson me 34
Foto ilustruese

MAQEDONI E VERIUT- Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar numërimi pothuajse i plotë i votave në zgjedhjet lokale. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë numëruar votat në 3472 nga gjithsej 3474 vendvotime, që përfaqëson 99.94% të rezultatit.

Fituesja e madhe e këtij raundi është partia në pushtet VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, e cila ka fituar 34 komuna që në raundin e parë dhe kryeson në 19 komuna të tjera, ku do të shkojë në balotazh më 2 nëntor. Në total, VMRO-DPMNE ka dalë në krye në 53 komuna, duke përfshirë edhe Shkupin, ku do të vendoset gjithashtu në raundin e dytë.

Pas saj radhitet koalicioni shqiptar VLEN, i cili ka fituar 5 komuna, ndërsa në 4 të tjera do të përballet në balotazh. Në Tetovë dhe Bogovinë, VLEN do të përballet me kandidatët e koalicionit rival shqiptar AKI, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

AKI, i drejtuar nga Ali Ahmeti, ka siguruar fitore që në raundin e parë në 5 komuna: Vrapçishtë, Gostivar, Lipkovë, Pllasnicë dhe Çashkë. LSDM ka arritur të fitojë vetëm 3 komuna, ndërsa në 5 të tjera do të shkojë në balotazh, duke treguar një rënie të dukshme në mbështetje.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Turqve ka fituar vetëm një komunë. Në 33 komuna të tjera, përfshirë edhe kryeqytetin Shkup, gara do të vendoset në raundin e dytë, ku shumicën e tyre e kryeson VMRO-DPMNE, duke e pozicionuar veten si favorit edhe për fitoren përfundimtare./ Dosja.al

zgjedhjet lokale ne maqedoni

Sondazh

Poll