Bota

Armëpushimi në Lindjen e Mesme/ Analiza: Tre pyetjet kërkojnë përgjigje brenda 24 orëve nga marrëveshja për Gazën

Ndërkohë sot pritet të nisë në Kajro një samit me pjesëmarrjen e liderëve rajonalë, i cili do të shqyrtojë fazat e ardhshme të planit me 20 pika për paqen dhe rindërtimin e Gazës. Megjithatë, sipas një analize të CNN, ekzistojnë tre pyetje kritike që do të përcaktojnë nëse marrëveshja do të qëndrojë apo do të bjerë.

13 Tetor 2025, 18:38 Nga E. D
Armëpushimi në Lindjen e Mesme/ Analiza: Tre pyetjet
foto ilustruese

GAZA- Vetëm 24 orë pas lirimit të pengjeve të fundit të Hamasit, imazhet e ribashkimeve familjare në Izrael po bëjnë xhiron e botës. Donald Trump, duke folur në Knesset, e përshkroi ditën si agimin historik të një Lindjeje të Mesme të re. 

Ndërkohë sot pritet të nisë në Kajro një samit me pjesëmarrjen e liderëve rajonalë, i cili do të shqyrtojë fazat e ardhshme të planit me 20 pika për paqen dhe rindërtimin e Gazës. Megjithatë, sipas një analize të CNN, ekzistojnë tre pyetje kritike që do të përcaktojnë nëse marrëveshja do të qëndrojë apo do të bjerë.

1. Çfarë qëndrimi do të mbajë Hamasi?

Në marrëveshjen e fundit për shkëmbim pengjesh, Hamasi e shfrytëzoi armëpushimin për të rimarrë kontrollin e Gazës, për të eliminuar kundërshtarët palestinezë dhe për të përdorur pengjet si mjet propagande. Siç thekson analiza, “dukshëm po ndjek të njëjtin model”, pasi tashmë janë raportuar arrestime të reja të palestinezëve në rrugët e Gazës.

Megjithatë, këtë herë rrethanat janë ndryshe, marrëveshja e re lejon forcat izraelite të qëndrojnë në mbi gjysmën e territorit të Gazës, ndërsa për herë të parë parashikon përfshirjen e forcave të huaja ushtarake për të garantuar që Hamasi të mos rikthehet në pushtet. Marrëveshja gjithashtu ka mbështetje më të gjerë nga shumica e shteteve arabe dhe myslimane, dhe përfshin qartë çarmatimin e Hamasit.

2. A po krijohen struktura të përkohshme politike dhe ushtarake?

Suksesi i marrëveshjes varet nga ngritja e shpejtë e një mekanizmi të përkohshëm sigurie dhe qeverisjeje për Gazën. Pa këto struktura, ekziston rreziku real që Hamasi të rifitojë terren dhe të dështojë çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme dhe rindërtim.

Pyetjet thelbësore janë: cilat shtete do të dërgojnë trupa në forcën e re paqeruajtëse dhe a mund të krijohet një autoritet i përkohshëm qeverisës pa u zhytur procesi në muaj konfliktesh politike? Një shenjë pozitive është aktivizimi i Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM), e cila tashmë ka vendosur trupa jashtë Gazës për të monitoruar situatën.

3. A ekziston një plan i qëndrueshëm për rindërtimin?

Rindërtimi i Gazës parashikohet të zgjasë të paktën një dekadë dhe të kushtojë qindra miliarda dollarë. SHBA ka udhëhequr një përpjekje të ngjashme më parë për qytetin e Mosulit në Irak, por rasti i Gazës është edhe më kompleks: nën tokën e saj shtrihen mbi 480 kilometra tunele, ndërtuar përgjatë 20 viteve nga Hamasi.

Rindërtimi kërkon një aleancë globale, të udhëhequr nga SHBA-të, me përfshirjen e palestinezëve që nuk kanë lidhje me Hamasin dhe me financim nga vendet arabe dhe ato perëndimore. Samiti i ardhshëm në Kajro pritet të jetë hapi i parë i koordinimit të kësaj nisme. Suksesi i tij do të matet në bazë të angazhimeve konkrete për fonde dhe një plan veprimi të qartë./Dosja.al

lufta ne lindjen e mesme

Sondazh

Poll