Aktualitet

Anëtar i bandës së Elvis Doçit, deportohet Juxhin Drazhi nga Spanja që kërkohej nga GJKKO (VIDEO)

34-vjeçari akuzohet për trafikim të lëndëve narkotiken dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

11 Tetor 2025, 09:06 Nga I.A
 
Anëtar i bandës së Elvis Doçit, deportohet Juxhin Drazhi
Juxhin Drazhi

TIRANË- 34-vjeçari Juxhin Drazhi është deportuar mbrëmjen e kaluar nga Spanja, pasi kërkohej nga drejtësia shqiptare. Mbi Drazhin rëndon masa e sigurisë arrest me burg e vendosur nga GJKKO-ja. 34-vjeçari akuzohet për trafikim të lëndëve narkotiken dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi i Policisë: 

Interpol Tirana Ekstradohet nga Spanja, 1 shtetas që akuzohet nga GjKKO, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë. Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Madrid, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: J. D., 34 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se shtetasi J. D. ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe në Belgjikë.


Por kush është Juxhin Drazhi?

Juxhin Drazhi akuzohet se është anëtar i bandës së Ervis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës. Drazhi ishte i kërkuar nga GJKKO, e cila në prill 2025 i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe veprave të tjera të kryera nga organizata kriminale. Ndërkohë pritet ekstradimi i Drazhit drejt Shqipërisë.

Si u arrestua Drazhi?

Juxhin Drazhi u kapur nga Garda Civile e Malagas në një vilë luksoze në Almuñécar (Granada). Pas mbikëqyrjes së pronës, autoritetet policore spanjolle zbuluan se Drazhi ishte fshehur atje, duke mos dalë nga vila dhe duke përdorur bashkëpunëtorët e tij për t’i siguruar gjithçka që i nevojitej për të shmangur identifikimin dhe arrestimin.

Prona ku ai ishte fshehur ishte një vilë luksoze me çdo komoditet, e vendosur në një terren të lartë, gjë që i lejonte atij të monitoronte mjedisin përreth dhe të parashikonte çdo ndërhyrje të policisë. Anëtarët e kësaj bande krenoheshin se mbanin armë zjarri, dhe Drazhi madje kishte edhe një eskortë. Pasi vuri re praninë e policisë, 34-vjeçari tentoi arratisjen duke ikur me vrap përmes shpatit të malit, por u kap nga oficerët që rrethuan shtëpinë.

Një kontroll i shtëpisë zbuloi dokumente të shumta personale të falsifikuara (pasaportë, kartë identiteti dhe patentë shoferi) që do t’i kishin dhënë Juxhin Drazhit një identitet të rremë që ai mund ta kishte përdorur për të shmangur veprimet e policisë, si dhe sende të shumta luksi, përfshirë një orë dore me vlerë të lartë. Përveç kësaj, nga kontrolli i zonës ku i ndaluari iku, u zbulua një armë zjarri me dy karikatorë, trembëdhjetë fishekë dhe një silenciator./Dosja.al

gjkko juxhin drazhi

Sondazh

Poll