Politike

Ministeriali i Procesit të Berlinit/ Ministrja Spiropali: Ballkani Perëndimor nuk është barrë, por potencial i pashfrytëzuar i Evropës

Ministrja Spiropali theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është një barrë mbi supet e Evropës, por një fuqi e pashfrytëzuar që pret të zgjohet.  

9 Tetor 2025, 16:24 Nga E. D
Ministeriali i Procesit të Berlinit/ Ministrja Spiropali: Ballkani
pamje nga takimi

BERLIN- Përgjatë Ministerialit të Procesit të Berlinit të zhvilluar në Belfast të Irlandës së Veriut, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mbajti fjalë përgjatë darkës së mirëseardhjes dhe në dy seancat e sotme plenare që lidheshin me sigurinë evropiane dhe pajtimin.  
 
Mesazhet kryesore të Ministres Spiropali u fokusuan tek rëndësia e shfrytëzimit të mekanizmave të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Planin e Rritjes, forcimin e ekonomive, sundimin e ligjit, qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e të rinjve për të cilat Shqipëria qëndron si lidere e padikutueshme në rajon dhe mbi të gjitha si faktor stabiliteti.  
 
“Sfida si paqëndrueshmëria politike në Bosnjë-Hercegovinë, dialogu Kosovë-Serbi, agjenda destabilizuese e aktorëve të jashtëm, pranimi i përgjegjësive historike – si gjenocidi i Srebrenicës – dhe refuzimi i revizionizmit, duhen përballuar me udhëheqje vizionare për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të përmbyllur rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE," u shpreh Ministrja Spiropali përgjatë darkës së mirësardhjes të këtij ministeriali.
 
Ministrja Spiropali theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është një barrë mbi supet e Evropës, por një fuqi e pashfrytëzuar që pret të zgjohet.  
 
“Shqipëria është dëshmia se ndryshimi i vërtetë nuk imponohet nga jashtë - ai lind nga brenda, kur udhëheqja ka vizion, kur reformat janë të guximshme dhe kur besimi bëhet shtylla e çdo transformimi” deklaroi ajo.  
 
Në këtë sesion që lidhej me sigurinë evropiane, Spiropali theksoi gjithashtu se: “Shqipëria qëndron fort përkrah BE-së dhe NATO-s, në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Megjithatë, e ardhmja jonë nuk mbështetet vetëm në politikë, por edhe në gjallërinë ekonomike dhe ndërlidhjen rajonale.”
 
Ndërkohë, përgjatë sesionit tjetër që lidhej me pajtimin rajonal, Ministrja Spiropali u ndal tek rëndësia që vendi ynë i kushton atij:
 
“Për Shqipërinë, pajtimi rajonal nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një detyrim moral dhe një strategji për paqe e përparim. Sepse pajtimi i vërtetë nuk shkruhet në letër, ai ndërtohet në zemra. Ai kërkon guxim për t’u përballur me hijet e së shkuarës, dhembshuri për të nderuar kujtesën e viktimave, e mbi të gjitha, vizion për të ndërtuar një të ardhme ku ndryshimet nuk ngjallin frikë, por frymëzojnë bashkëjetesë,” u shpreh Spiropali.

elisa spiropali

Sondazh

Poll