Politike

“Kërkoni ndjesë publike”/ Emri i Enver Hoxhës në email-et e Kuvendit si figurë që duhet nderuar, Agron Gjekmarkaj akuzon PS: Ky nuk është një lapsus

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, Gjekmarkaj tha se futja e emrit të tij në dokumentat e Kuvendit është një fyerje dhe provokim ndaj heronjëve, të presekutuarve dhe martirëve.

8 Tetor 2025, 10:41 Nga E.d
“Kërkoni ndjesë publike”/ Emri i Enver Hoxhës në
Agron Gjekmarkaj.

TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, të kërkoj falje publike për përfshirjen e ish-diktatorit Hoxha, në listën e personaliteteve që duhen nderuar. Gjatë Konferencës së Kryetarëve, Gjekmarkaj tha se futja e emrit të tij në dokumentat e Kuvendit është një fyerje dhe provokim ndaj heronjëve, të presekutuarve dhe martirëve. Në fund, Gjekmarkaj kërkoi që kjo situatë mos të përsëritet më, si dhe të mbahet përgjegjësi ndaj veprimeve të tilla. 

“Zoti Kryetar, një ngjarje e rëndë ka ndodhur këto ditë dhe ju nuk keni një qëndrim! Duket patetike të kujtoj se Enver Hoxha ishte tiran dhe sistemi i tij politik – tirani. Futja e tij në analet e Kuvendit të Shqipërisë është një fyerje dhe provokim ndaj martirëve, heronjve, të përsekutuarve, të gjithë atyre që kanë zgjedhur lirinë ndaj tiranisë, ndaj ndjenjës fisnike të shqiptarëve për të falur, por jo për të harruar. Ky nuk është një lapsus, z. Peleshi, ju duhet të distancoheni, duhet të kërkoni ndjesë publike – nëse jo, kjo është dëshmi që ky është qëndrimi juaj politik, pohim i mendësisë diktatoriale.

Unë e kuptoj që PS ka dalë nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës dhe lidhjet tuaja me të shkuarën janë biologjike, afektive. Nuk keni pasur kurrë kurajon të dënonit të shkuarën, të distancoheni. Ju, në mesin tuaj, keni hetues të diktaturës – e nuk e kam fjalën vetëm për mbështetësit, por për individë politikë me përgjegjësi institucionale. Pra, pranojeni se fantazma e stalinoçit shqiptar është krenaria juaj. Kjo nuk duhet të ndodhë më, zoti Kryetar – distancohuni ose mbajeni pa nder këtë turp në kurrizin tuaj të brishtë!”, tha Gjekmarkaj./Dosja.al

agron gjekmarkaj niko peleshi enver hoxha

Sondazh

Poll