Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Zbardhen emrat e të arrestuarve, ja akuzat që rëndojnë mbi ta

Ndërsa xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi akuzohet po ashtu për vrasje dhe plagosje, për shkak se dyshohet që ka qenë në dijeni të planeve të nipit për të kryer vrasjen.

7 Tetor 2025, 09:37 Nga I.A

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Zbardhen emrat e të arrestuarve, ja

TIRANË- Policia ka zbardhur emrat e të gjithë personave të arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit. Mësohet se në pranga për vrasje, plagosje si dhe armëmbajtje pa leje ka rënë Elvis Shkambi.

Ndërsa xhaxhai i tij Gjon Shkambi akuzohet po ashtu për vrasje dhe plagosje, për shkak se dyshohet që ka qenë në dijeni të planeve të nipit për të kryer vrasjen. Ndërsa punonjësi i sigurisë së Gjykatës, Banush Koxhaj është vënë në pranga për akuzën shpërdorim i detyrës.  

Pjesë nga njoftimi i Policisë:

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

• Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

• Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

• Banush Koxhaj, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën./Dosja.al

astrit kalaja elvis shkëmbi gjon shkëmbi banush koxhaj

Sondazh

Poll