Aktualitet

"Gjon Shkambi ishte në dijeni të planeve të nipit"/ Policia zbardh dinamikën e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja: Roja i sigurisë nuk i kontrolloi

Policia tha se xhaxha e nip janë futur brenda ambienteve të sallës së pritjes për publikun në Gjykatën e Apelit, pa asnjë kontroll të bërë ndaj tyre.

7 Tetor 2025, 09:34 Nga E.d
"Gjon Shkambi ishte në dijeni të planeve të nipit"/
Pamje nga vendngjarja

TIRANË- Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të krimit të rëndë ku mbeti i vdekur gjykatësi Astrit Kalaja ka qenë në dieni të planeve të nipit për ekzekutimin të cilin do të kryente. Policia tha se xhaxha e nip janë futur brenda ambjenteve të sallës së pritjes për publikun në Gjykatën e Apelit, pa asnjë kontroll të bërë ndaj tyre. Më pas ata kanë hyrë në sallën ku po zhvillohej gjyqi dhe në momentin e shpalljes së vendimit, autori Elvis Shkambi ka qëlluar tre herë në drejtim të gjykatësit dhe dhe dy herë në drejtim të dy personave të tjerë të cilët ishin pranishëm në gjyq.

Bab e bir janë plagosur, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi nuk ka marrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij. Nisur nga kjo policia dyshon se Gjon Shkambi ka qenë në dieni të atentatit që do kryente i nipi. Pas ngjarjes Elvis Shkambi i ka dorëzuar armën e përdorur për ekzekutimin e gjyqtarit nënpunësit gjyqësor, i cili ndodhej në një tjetër sallë gjyqi. Më pas ai është arrestuar menjëhertë nga punonjësit e policisë.

Njoftimi i Policisë:

Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit. Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën./Dosja.al

atentat krim elvis shkëmbi gjon shkëmbi astrit kalaja

Sondazh

Poll