Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ ILD: Të angazhohemi në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë

ILD gjithashtu thekson se tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.

6 Tetor 2025, 19:34 Nga E. D
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ ILD: Të angazhohemi në garantimin e
ILD

TIRANË- Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Me anë të një deklarate ILD shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. ILD gjithashtu thekson se tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.

Reagimi i ILD:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.

Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik. Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë.

Në institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit. Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin./Dosja.al

ild

Sondazh

Poll