Aktualitet

“Mafia shqiptare nuk ka formë piramidale”/ Gazetari Italian: Zhduken sapo ndjejnë rrezikun

Trocchia thekson se këta grupe kriminale kur zbuloheshin ose kur kishin dyshime se mund të zbuloheshin zhdukeshin dhe sipas tij këtë mundë ta bënin në vendet europiane, sepse kanë një territor përkatësie dhe origjine si Shqipëria. 

25 Shtator 2025, 18:00 Nga E. D
“Mafia shqiptare nuk ka formë piramidale”/ Gazetari Italian:
Nello Trocchia

ITALI- Gazetari italian Nello Trocchia ka treguar se mafia shqiptare nuk ka formë piramidale, por një formë që rrënjoset në grupe dhe grupe që janë në gjendje të menaxhojnë dhe të qëndrojnë në territore dhe më pas të shpërbëhen shpejt. Duke folur në një intervistë për SYRI.TV, Trocchia thekson se këta grupe kriminale kur zbuloheshin ose kur kishin dyshime se mund të zbuloheshin zhdukeshin dhe sipas tij këtë mundë ta bënin në vendet europiane, sepse kanë një territor përkatësie dhe origjine si Shqipëria. 

Nello Trocchia: Jo, mafia shqiptare ka vetëm një tipar të përbashkët me Brigate Rosse: është struktura me qeliza. Pra, nuk ka formë piramidale, por një formë që rrënjoset në grupe, grupe që janë në gjendje të menaxhojnë dhe të qëndrojnë në territore dhe më pas të shpërbëhen shpejt. Qelizat terroriste kishin të njëjtën karakteristikë: praktikisht kur zbuloheshin ose kur kishin dyshime se mund të zbuloheshin, zhdukeshin.

Këtë ata mund ta bëjnë sidomos në vendet europiane, sepse kanë një territor përkatësie dhe origjine si Shqipëria, ku ata kanë padyshim një rrënjosje. Pra, nëse vendosen në Londër, në Holandë, në Romë – kur hetimet ngrihen në nivel, ata zhduken ose largohen. Ndonjëherë edhe në mënyrë të qartë dhe të vetëdijshme. Mendoni për disa narkotrafikantë që kanë bërë historinë e krimit roman të 20 viteve të fundit, të cilët janë larguar, për shembull, për të vuajtur një pjesë të dënimit në Shqipëri, për shkak se ka marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë, e më pas sot janë njerëz të lirë që vazhdojnë trafikun e tyre. Kjo është e vetmja karakteristikë e ngjashme.

Qëllimi i mafias shqiptare, si për të gjitha mafiet është të bëjë para. Për të bërë para dhe për të pasur një strukturë mafioze funksionale, duhet të kesh lidhje me politikën, me sipërmarrësit dhe me botën e profesionistëve. Si i ke këto lidhje? Përmes sistemeve korruptive. Më tregonte një ish-vrasës i Kamorës, që pata mundësinë ta njoh vitet e fundit, dhe që ka strukturë kriminale për të na treguar se çfarë janë mafiet, dhe vlen për ato italiane, vlen për ato të huaja si ajo shqiptare. Qartë, para armës, para K47, para Feroce, janë paratë. Paratë janë instrument që lejon të lubrifikohen sistemet, të arrish kudo dhe nëse duhet të ndërtosh një kullë të madhe, nëse duhet të ndërtosh një zinxhir të madh hotelesh, edhe të shkojë në kadastër, tek ata që japin koncesionet dhe në një farë mënyre të zbutësh sistemin e kontrollit. Kjo mënyrë realizohet vetëm nëse ke shumë para, dhe shqiptarët, mafia shqiptare, qartë kur them shqiptare, them mafia, kriminelët shqiptarë, kanë shumë para që vijnë nga sektori i parë i biznesit, që sot është bërë trafikimi i drogës.

Në vitet ’90 ata u strukturuan me karakteristika të ndryshme dhe ishin sektorë të tjerë biznesi. Sot sektori kryesor i biznesit është trafiku i drogës. Kur ke shumë para, ke nevojë t’i riinvestosh. Kur duhet të riinvestosh, ke nevojë të bisedosh me pushtetet e tjera që janë në territor. Në territor, cilët pushtete ka? Ka pushtete shtetërore. Dhe me pushtetet shtetërore ti bisedon. Si bisedon? Me paratë që ke. Dhe paratë janë instrumenti kryesor në vendet me nivel të lartë korrupsioni, që lejon pushtetet kriminale, përmes sipërmarrjes së miqësuar, të mund të pastroni dhe riinvestoni, duke futur në ekonominë ligjore miliona e miliona euro.

Shifër e rëndësishme. Më tregon prokurori Gratteri: ne arrijmë të sekuestrojmë vetëm një përqindje të vogël të ngarkesave të lëndëve narkotike që vijnë. Jemi rreth 10–15 për qind. Por sidomos në Europë, sepse nuk kemi një legjislacion të harmonizuar, arrijmë të kapim, të sekuestrojmë vetëm një pjesë të vogël, nën 10–15% të pasurive të paligjshme, që bëhen ligjore dhe shkojnë të ushqejnë ato që janë numrat e ekonomive legale të vendeve. Pushtetet kriminale, pushteti i mafies urbane është një nga ato pushtete që rrit ekonominë legale dhe që sidomos është strukturuar tashmë falë një rrjeti bashkëpunëtorësh dhe kokave të rreme.

nello trocchia

Sondazh

Poll