Politike

E kërkoi Rama, Inspektori i Lartë i Drejtësisë: S'ka arsye për hetim për prokuroren Elsa Gjeli

Në një kthim përgjigje që kreu i ILD-së Artur Metani i ka dorëzuar ish-Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, theksohet se pas ankesës së marrë nuk ka asnjë indikacion apo dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurores Gjeli. 

19 Shtator 2025, 14:24 Nga I.A
E kërkoi Rama, Inspektori i Lartë i Drejtësisë: S'ka
Elsa Gjeli

TIRANË- Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur hetim disiplinor për prokurorin e Shkodrës Elsa Gjeli, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama. Në një kthim përgjigje që kreu i ILD-së Artur Metani i ka dorëzuar ish-Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, theksohet se pas ankesës së marrë nuk ka asnjë indikacion apo dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurores Gjeli. 

Njoftimi i ILD-së:

Ju vëmë në dijeni se, Inspektori Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj. Elsa Gjeli, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe referuar vendimit nr. 2138/3 prot., datë 15.07.2025 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë "Për verifikimin pas shqyrtimit fillestar të ankesës dhe informacionit të marrë, ka konkluduar se, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4 të ligjit ar. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Në mbështetje të nenit 119, pika 4 dhe nenit 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bashkëlidhur këtij njoftimi, ju lutemi, të gjeni një kopje të vendimit të arkivimit të ankesës

Në përputhje me nenin 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, ju keni të drejtë të ankimoni këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga datá e marrjes së vendimit të arsyetuar.

E kërkoi Rama, Inspektori i Lartë i Drejtësisë: S'ka
Letra

Ndërtimet në fshatin Theth ishin dhe arsyeja e përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. Këto ndërtime, Rama është shprehur se janë ndërtuar pa leje dhe IKMT do ti heqë nga territori. Lidhur me këtë çështje, Rama ka sulmuar prokuroren Elsa Gjeli. Sipas tij, kjo e fundit ka refuzuar të hapë çështjen dhe ka injoruar denoncimin e Policisë së Shtetit lidhur me këtë ndërtim. Kreu i qeverisë shprehej se është lejuar një ndërtim në zemër të Thethit në shkelje totale të ligjit, por sipas tij, Prokurorja Gjeli ka dalë me vendim se nuk ka vepër penale. Rama tha se këtë çështje do ta përciellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që shtoi se kjo prokurore është e padenjë për tu paguar si e tillë./Dosja.al

elsa gjeli edi rama ild

Sondazh

Poll