9 Shtator 2025, 19:32
Nga E. D
Nigel Farage dhe Edi Rama
TIRANË- Analisti i njohur i BBC për Evropën Qëndrore dhe Juglindore, Gabriel Partos, ka folur lidhur me replikat e Kryeministri Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage për emigrantët shqiptarë në Britani të Madhe. Në një intervistë në Report Tv analisti Partos i cilësoi replikat si një rast tipik i politikanëve që përdorin retorikën për të forcuar mbështetjen publike. Analisti theksoi gjithashtu se karriera politike e Farage është ndërtuar mbi retorikën kundër emigrantëve dhe të huajve.
Sipas analistit, pas Brexit, nuk është më e mundur të fajësohet BE për problemet ekonomike dhe sociale të Mbretërisë së Bashkuar dhe kjo është arsyeja pse tani partia ‘Reform UK’ e Farage është përqendruar tek emigrantët. Ndër të tjera Partos theksoi se statistikat për numrin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar janë të pasakta. Analisti nënvizoi se pretendimi i Farage se një në 50 shqiptarë në MB ndodhet në burg bazohet në një vlerësim prej 53,000 banorësh të lindur në Shqipëri.
Intervista e plotë:
Si e vlerësoni debatin virtual mes Nigel Farage dhe Kryeministrit Edi Rama për emigracionin e paligjshëm, a është thjesht retorikë politike, apo zbulon çështje më të thella në marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri?
Gabriel Partos: Përplasja në rrjetet sociale këtë verë mes Nigel Farage dhe Edi Ramës ishte një rast tipik i politikanëve që përdorin retorikën për të forcuar mbështetjen publike. Karriera politike e z. Farage është ndërtuar mbi retorikën kundër emigrantëve dhe të huajve. Arritja e tij më e madhe në bashkëpunim me krahun e Boris Johnson-it në Partinë Konservatore ishte largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE pas referendumit të vitit 2016.
Pas Brexit, nuk është më e mundur të fajësohet BE për problemet ekonomike dhe sociale të Mbretërisë së Bashkuar, ndaj tani partia ‘Reform UK’ e z. Farage është përqendruar tek emigrantët. Ironikisht, kjo është bërë më e lehtë, pasi pas Brexit, emigracioni i ligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar është rritur për të mbushur vendet e punës që lanë qytetarët e BE-së. Për më tepër, mbërritja e emigrantëve të paligjshëm me varka të vogla përmes Kanalit Anglez është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Kjo ndodh pjesërisht sepse Mbretëria e Bashkuar tani është jashtë BE-së dhe është shumë më e vështirë të kthehen azilkërkuesit në Francë. Z. Rama, pa dyshim, përfiton politikisht në vendin e tij duke mbrojtur shqiptarët në MB dhe duke refuzuar përpjekjet për t’i portretizuar si kriminelë. Në përgjithësi, marrëdhëniet dypalëshe mes MB dhe Shqipërisë janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit. Kjo pasoi marrëveshjen mes ish-Kryeministrit britanik Rishi Sunak dhe z. Rama në fund të vitit 2022, e cila i dha fund valës së madhe të shqiptarëve që kalonin Kanalin drejt Mbretërisë së Bashkuar për të kërkuar azil.
Sa të besueshme janë statistikat e përdorura nga z.Farage në këtë debat? A janë shifra të fryra që stigmatizojnë padrejtësisht shqiptarët?
Gabriel Partos: Statistikat për numrin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar janë të pasakta. Pretendimi i z. Farage se një në 50 shqiptarë në MB ndodhet në burg bazohet në një vlerësim prej 53,000 banorësh të lindur në Shqipëri. Sipas regjistrimit të popullsisë në MB në vitin 2021, në atë kohë kishte 68,000 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ky numër konsiderohet si nënvlerësim, dhe një raport i parlamentit britanik në vitin 2023 e vlerësonte numrin e shqiptarëve në rreth 140,000.
Pse kjo mospërputhje?
Shumë shqiptarë kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit pa dokumente të rregullta. Ata janë zhdukur në ekonominë “gri” të paregjistruar (dhe ndonjëherë në botën kriminale).Kjo është e lehtë për t’u realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi nuk ka kartë identiteti kombëtare. Shqiptarët që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme nuk kanë interes të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë.Për më tepër, një numër i madh shqiptarësh kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar nga vende të tjera, sidomos nga Italia dhe Greqia. Në shumicën e rasteve, origjina e tyre shqiptare nuk regjistrohet derisa të përballen me ligjin dhe të burgosen. Duket se raportimi nga media anti-emigrante mbi nivelin e kriminalitetit shqiptar bazohet më shumë në hiperbolë sesa në fakte.
Përtej çështjes së emigracionit, komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar jep kontribute të rëndësishme në biznes, art dhe akademi, me figura të njohura si Lea Ypi, Dua Lipa, Rita Ora, etj. Pse mendoni se kjo narrativ pozitive përmendet kaq rrallë në diskursin publik?
Gabriel Partos: Politikanët, sidomos ata të tipit populist siç është z.Farage e dinë mirë që një nga mënyrat më të sigurta për të rritur mbështetjen është duke ngritur frikë dhe pasiguri tek qytetarët. Në një kontekst ku në Mbretërinë e Bashkuar si edhe në pjesë të tjera të Evropës ka shqetësime serioze për inflacionin, çmimet e larta të banesave, problemet në kujdesin shëndetësor publik dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme për të menaxhuar emigracionin e paligjshëm, politikanët populistë zakonisht zgjedhin t’i sulmojnë emigrantët. Është më e lehtë të përfitosh politikisht nga zemërimi dhe zhgënjimi i njerëzve dhe të fajësosh emigrantët sesa të theksosh kontributin që ata japin në shoqëri. Ky është një mësim që politikanët populistë dhe nacionalistë e kanë mësuar prej kohësh dhe vazhdojnë ta zbatojnë në kërkim të pushtetit.
Si ndodhën replikat me Ramën?
Pak muaj më parë kryeministri Rama dhe deputeti britanik kanë replikuar në rrjetet sociale, pasi ky i fundit deklaroi se "një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg" dhe bëri thirrje për riatdhesimin e tyre të menjëhershëm. Nigel e quajti udhëheqësin shqiptar "një gjigant burrëror" që e udhëheq Shqipërinë si kryeministri i saj socialist, ndërsa kritikoi politikat e Britanisë për imigracionin. Kritikat e Ramës ndaj Britanisë u shfaqën gjatë një interviste me The Guardian, ku ai paralajmëroi se plani i Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e dështuar jashtë vendit tregon se Britania pas Brexit është në "një vend shumë të errët".
Kryeministri shqiptar tha se Britania po “kërkonte vende për të lënë emigrantët”, një koncept që ai pretendoi se do të kishte qenë i paimagjinueshëm një dekadë më parë. Ai argumentoi se Brexit-i e kishte ndryshuar rrënjësisht diskursin publik britanik, duke thënë: Tetëdhjetë përqind e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit-it] do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme. Nigel akuzoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar negociatave të vetë Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera./Dosja.al
nigel farage edi rama
Politike
9 Shtator 2025, 19:04
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e “Lidershipit”, libër nga Henry Kissing...
Politike
9 Shtator 2025, 16:26
E. D
foto ilustruese
DURRËS- Biblioteka publike e Durrësit në këtë fillim-shtator është më e qetë se zakonisht. Tro...
Politike
9 Shtator 2025, 16:24
E. D
foto ilustruese
TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj vendosi të martën më 9 shtator mbi ecurinë e karrier&e...
Politike
9 Shtator 2025, 13:05
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për masa më të rënda ndëshkuese ndaj personave që kryejn&eu...
Politike
9 Shtator 2025, 14:54
KOSOVË- Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të martën aktorëve politikë dhe institucioneve ...
Politike
9 Shtator 2025, 14:27
I.A
Vjosa Osmani
KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovë...
Politike
9 Shtator 2025, 14:13
I.A
Ilir Proda
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda ka falenderuar efektivët në Shkodër për angaz...
Politike
9 Shtator 2025, 13:44
I.A
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se hapësira e përbashkët është e gjithë banorëve. Gja...
Politike
9 Shtator 2025, 13:37
I.A
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për çdo ndërtim në Tiranë do të ketë një inspekt...
Politike
9 Shtator 2025, 13:29
I.A
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama duke folur në lidhje me projektet arkitekturore që ndryshohen nga ndërtuesit, ka përme...