Politike

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Presidenca: Është urgjencë shtetërore

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar se Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit.

19 Gusht 2025, 15:57 Nga E. D
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Presidenca: Është
foto ilustruese

KOSOVË- Të mërkurën, më 20 gusht, në orën 11:00, mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Në rend dite parashihet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar se Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit.

“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, tha Kupina për telegraf. 

Mes tjerash, ai shtoi se zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare. 

“Presidenca apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, shtoi tutje Kupina.

Të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Vendi vazhdon të jetë pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit. Procesi ka ngelur në postin e kryeparlamentarit. LVV vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq, partitë tjera thonë se nuk është unifikuese.

Sondazh

Poll