Politike

"Mashtrime me shifrat e eksporteve", Berisha: Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë

Berisha u shpreh se eksportet në vendin tonë llogaritet ashtu siç kryeministri Edi Rama numëron turistët që kanë vizituar vendin.

19 Gusht 2025, 13:05 Nga N.F
"Mashtrime me shifrat e eksporteve", Berisha: Me këtë akt,
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij para gazetarëv ka folur në lidhje me shifrat e eksporteve të cila ai shprehet se janë mashtrime. Berisha u shpreh se eksportet në vendin tonë llogaritet ashtu siç kryeministri Edi Rama numëron turistët që kanë vizituar vendin.

Ai u shpreh se Rama regjistron si turistë edhe persona që pinë një kafe në aeroport dhe më pas shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat ajrore. Sipas tij i njëjti rast ndodh edhe me eksportet pasi sipas tij Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë.Berisha më parë u shpreh se ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës.

"Nuk ka mashtrim më banal, më primitiv. Shkarkon Kosova naftë në Durrës me cisterna për ta transportuar me autobote në Kosovë, ky quhet eksport i Shqipërisë në Kosovë. Ky transit. Identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe diku në aeroport apo jashtë tij dhe as nuk flenë dhe as shpenzojnë asgjë, thjesht shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat e lira ajrore.

Shikoni me çfarë zyrtarësh kemi të bëjmë, të shpëlarë nga çdo karakter, qoftë profesional, intelektual, zyrtar, se si mashtrojnë popullin e vet. Se si mashtrojnë botën. Mos harroni se statistikat e INSTAT-it janë statistika që në mirëbesim citohen nga EUROSTAT-i. Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Narkoekonomia në Shqipëri është zhvillimi më dramatik i narkoshtetit. Është pikërisht narkoekonomia, ajo që ka sjellë rënie progresive të pandalshme në 3 vitet e fundit të prodhimit të përgjithshëm industrial, të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe në veçanti të eksporteve të vendit. Ekonomia shqiptare bazohet kryekëput në narkondërtimin, i cili është tre herë më i lartë në tregues se sa mesatarja e ndërtimit në BE dhe është me distancë më i larti në Europë.

Pra, të mashtrosh me eksportet, të cilat po t’u zbresësh importet e Kosovës, që Edi Rama me ministrin e tij të financave dhe institutin e tyre, i llogarisin si ri-eksporte të Shqipërisë... Ri-eksporti është kategori krejt tjetër. Ai është transit. Shkarkohet në Porto Romano nafta dhe nga cisternat e Porto Romanos kalon me autobote në Prishtinë. Ky është një akt i paprecedent," tha ai.

berisha rama eksport

Sondazh

Poll