Politike

KQZ i dha mandatin "motrës" së Lapajt/ "Shqipëria Bëhet" ankimon vendimin në KAS, kërkon të njihen dorëheqjet e listës së mbyllur

Pas ankimimit, pritet që KAS të shqyrtojë çështjen dhe të dalë me një vendim përfundimtar lidhur me personin që do të jetë pjesë e Kuvendit të ri.

28 Korrik 2025, 10:46 Nga r.ll
KQZ i dha mandatin "motrës" së Lapajt/ "Shqipëria
adriatik lapaj

TIRANË- Shqipëria Bëhet ka ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i dha mandatin e deputetit, Kleana Xhuvelit. Kjo e fundit është vajza e tezes së kreut të Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapajt. 

Shqipëria Bëhet ka kërkuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve që të njihen dorëheqjet e listës së mbyllur dhe kështu mandati i kalon Lapajt, si më i votuari i listës së hapur. 

Pas ankimimit, pritet që KAS të shqyrtojë çështjen dhe të dalë me një vendim përfundimtar lidhur me personin që do të jetë pjesë e Kuvendit të ri.

PJESË NGA KËRKESA ANKIMORE:

Kërkojmë: 1. Ndryshimin e Vendimit Nr. dt. 23.07.2025, të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve “Për caktimin e kandidatëve fitues të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.

2. Mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve të depozituara përkatësisht në datë 15.07.2025 nga Zeqir Kordhoni dhe në dt. 17.07.2025 nga Kleana Xhuveli.

3. Shpalljen e kandidatit fitues nga lista shumëemërore sipas numrit të votave parapëlqyese, të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” për Qarkun Tiranë, si më poshtë: 1. Adriatik Ferman Lapaj SHB.

4. Miratimin e kandidatëve të mbetur, të cilët nuk kanë përfituar mandat në listën shumemërore të subjektit zgjedhore Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në bazë të renditjes sipas numrit të votave parapëlqyese, duke filluar nga numri më i lartë i votave dhe duke zbatuar kriterin gjinor.

Ky mandat deputeti është bërë shkak dhe për përplasjet mes koalicionit zgjedhor "Nisma Shqipëria Bëhet". Dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin rënë dakord që deputet do të bëhej kandidat ai që merrte më shumë vota nga lista e hapur. Ndërsa ata që ishin në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqjen. Ndërkohë, mosmarrëveshjet shpërthyen pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni tha se nuk do të tërhiqej nga mandati.

Pas disa ditësh akuzash të ndërsjella mes Lapajt dhe Endri Shabanit, daja i këtij të fundit u tërhoq nga mandati dhe kështu KQZ i dha Kleana Xhuvelit. Disa ditë para se të bëhej ndarja e mandanteve, Xhuveli vendosi "të tërhiqte dorëheqjen" e saj të mëparshme. Përmes një letre zyrtare drejtuar KQZ, ajo thoshte se ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit politik. 

adriatik lapaj shqiperia behet

Sondazh

Poll