Politike

Rritja e çmimeve të referencës për pronat/ Dorian Teliti: Akt i pastër politik, rrit menjëherë taksën e pronës, PD kërkon anulimin e kësaj iniciative

 Në një deklaratë për mediat, Teliti tha se ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim me qytetarët apo grupet e interesit.

26 Korrik 2025, 12:08 Nga I.A
Rritja e çmimeve të referencës për pronat/ Dorian Teliti:
Dorian Teliti

TIRANË- Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorian Teliti, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin. Në një deklaratë për mediat, Teliti tha se ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim me qytetarët apo grupet e interesit.

Teliti, e cilësoi vendimin si një taksë të re të fshehur, që do të rrisë ndjeshëm kostot e jetesës dhe do të rëndojë më tej barrën fiskale për qytetarët, në një kohë të vështirë ekonomike.

"Qeveria ka vendosur të rrisë  çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin, pa kryer asnjë konsultim publik me qytetarët dhe grupet e interesit. Çmimet e referencës rriten ndjeshëm, madje në disa zona, si psh Durrësi, këto çmime reference janë trefishuar, duke arritur deri në 2 mijë euro për m2. Të jini të qartë, se ky vendim i beftë nuk është thjesht një ndryshim me karakter teknik financiar. Është një akt i pastër politik që ka si synim të rrisë të ardhurat në buxhet përmes një formë të fshehtë të rritjes së taksave. Me këtë vendim qeveria godet drejtpërdrejt qytetarët. Rritet menjëherë taksa e pronës së banesave.

Bëhet më e kushtueshme blerja e një apartamenti si pasojë e rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e  kostove të jetesës. Në vend që të përkrahen familjet që përpiqen me ndershmëri të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre, qeveria ua vështirëson jetesën. Dhe e bën këtë në një kohë kur vendi vuan nga emigracioni masiv, rritja e çmimeve të shportës dhe pasiguria e lartë ekonomike. Ky nuk është një vendim i rastësishëm. Është pjesë e një modeli qeverisës të gabuar, ku qytetarët e zakonshëm e ndjejnë përditë mungesën e shtetit dhe praninë e rëndë të padrejtësive. Rritja e çmimeve të referencës është një taksë e re, e fshehur, mbi çdo familje shqiptare që dëshiron të blejë, të trashëgojë apo të dhurojë një pronë.

Opozita është tërësisht kundër dhe nuk mund të rrijë e heshtur përballë kësaj padrejtësie. Ne besojmë se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve, e jo në dëm të tyre. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshuar: të mbrojmë interesat e qytetarëve dhe aktorëve të tregut dhe të ndalojmë çdo përpjekje të qeverisë për të thelluar hendekun social dhe ekonomik. Nisur nga sa përmendëm më lart, Partia Demokratike kërkon:

1. Anulimin e menjëhershëm të kësaj iniciative, duke mos ndryshuar çmimet  e referencës së banesave.

2. Realizimin e një reforme të thellë dhe të ndershme fiskale, me anë të një procesi konsultimi publik transparent me qytetarët, grupet e interesit dhe profesionistët e fushës, me qëllim uljen e barrës fiskale për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare. Ne jemi këtu për t’i thënë JO çdo politike qeveritare që e bën banesën luks dhe që e kthen shtetin në një mjet zhvatjeje. Strehimi është një e drejtë e cdo shqiptari," tha Teliti.

dorian teliti

Sondazh

Poll