Politike

Afati i fundit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese/ Sot seanca e radhës në Kuvend, a do të dalë Kosova nga ngërçi politik?

Dje diplomatët perëndimorë ishin të pranishëm në seancë por dolën të zhgënjyer dhe paralajmëruan politikanët se vendit po futet në një territor të panjohur. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.

26 Korrik 2025, 08:46 Nga N.F
Afati i fundit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese/ Sot seanca e radhës
Foto

KOSOVË- Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re. Seanca mësohet se do të nisë në orën 14:00. Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 52 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Dje diplomatët perëndimorë ishin të pranishëm në seancë por dolën të zhgënjyer dhe paralajmëruan politikanët se vendit po futet në një territor të panjohur. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit po afron dita-ditës.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh nëse partitë nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar. Ajo që është ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë nesë edhe tentativa e sotme, e fundit nuk sjell asnjë rezultat.

kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll