Politike

Projektligjet për mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve/ Braçe: Bujqit vihen në presion për ta lëshuar tokën për ndërtime

Braçe tha se për mbrojtjen e bimëve duhet filluar nga mbrojtja e tokës, pasi toka bujqësore sidomos në Tiranë po jepen për ndërtime shumëkatëshe.

26 Qershor 2025, 13:43 Nga M.B
Projektligjet për mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve/ Braçe:
Erion Braçe

TIRANA- Deputeti socialist Erion Braçe mbajti fjalën sot në foltoren e Kuvendit ku dhe diskutoheshin projektligjet për mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve. Braçe tha se për mbrojtjen e bimëve duhet filluar nga mbrojtja e tokës, pasi toka bujqësore sidomos në Tiranë po jepen për ndërtime shumëkatëshe. Ai kritikoi edhe policinë e shtetit që ndërhyn ndaj banorëve që mbjellin shalqinj dhe pjepër në toka bujqësore që i takojnë shtetit.

"Pavarësisht se me ligj përafrojmë standarde te BE, elementi kyç është mbrojtja e tokës. Ta fillojmë nga A-ja. Dhe pa diskutim dhe përbërësve të saj. Shqipëria është në hall për mbrojtjen e tokës. Për normat e ulëta të fitimit nga puna bujqësore, bujqit po nxitojnë veçanërisht në Tiranë ta lëshojnë tokën për aktivitet m të lartë fitimi.

Toka po jepet për ndërtime shumë katëshe. Duhet të fillojmë nga mbrojtja e tokës. Nuk duhet të lëshojmë tokën bujqësore për ndërtime. Tirana po hyn në një rreth vicioz të habitshëm. Bujqit vihen në presion për ta lëshuar tokën për ndërtime, shihni Saukun, Farkën, Bërzhitën, Mulletin. Po ndërtohet në tokë bujqësore, zona rezidenciale.

Ç’punë kanë policët më këtë punë. Mbjellin shalqinj dhe pjepër në tokën e lumit, ç’punë kanë policia, ku hyn policia. Ja u marrin bujqve  që mbjellin për ta bërë panele fotovoltaike. Ça është kjo? Ku hyn policia e shtetit? Pse policia e shtetit bën përmbaruesin privat për një tokë që është e patjetërsueshme në emër të shtetit? Elementi i dytë është mbrojtja e ujërave. Që përdoren për vaditje. Edhe Semani dhe Shkumbini janë në agresionin e ujërave të zeza. I derdh kushdo. Në fund është klima", tha Braçe.

kuvend

Sondazh

Poll