Aktualitet

"Të jetë vetë populli i Iranit që rrëzon Khamenein!" Reagojnë muxhahedinët e strehuar në Manëz: Kërkojmë një republikë demokratike, jo-bërthamore

Në deklaratë e organizatës MEK, muxhahedinëve iranianë, thuhet se populli i Iranit kërkon liri dhe fitore në betejën e fatit kundër fashizmit fetar.

24 Qershor 2025, 10:23 Nga M.B
"Të jetë vetë populli i Iranit që rrëzon
Foto nga kampi i muxhahedinëve

MANËZ- Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (të strehuar në Kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit) Maryam Rajavi, ka reaguar me anë të rrjeteve sociale pas vendosjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit.

Rajavi ka publikuar një deklaratë në emër të organizatës MEK, muxhahedinëve iranianë, ku thuhet se populli i Iranit kërkon liri dhe fitore në betejën e fatit kundër fashizmit fetar. Sipas deklaratës në fjalë propozimi për një armëpushim dhe përfundimin e luftës është një hap përpara për opsionin e tretë: as luftë, as pajtim.

Në postimin e Maryam Rajavie shkruhet "le të jenë vetë populli i Iranit, në betejën e fatit, që të rrëzojnë Khamenein dhe diktaturën e velajat-e fakihut."

Sipas saj, populli i Iranit, në luftën e tij gjatë një shekull, me kosto të mëdha dhe të përgjakshme, ka refuzuar vazhdimisht diktaturat e Shahut dhe Sheikut përmes kryengritjeve të njëpasnjëshme. 

Postimi i Maryam Rajavi:

Duke mirëpritur armëpushimin dhe përfundimin e luftës
Duke riafirmuar vullnetin e popullit iranian: liri dhe fitore në betejën e fatit kundër fashizmit fetar

Propozimi për një armëpushim dhe përfundimin e luftës është një hap përpara për opsionin e tretë: as luftë, as pajtim. Le të jenë vetë populli i Iranit, në betejën e fatit, që të rrëzojnë Khamenein dhe diktaturën e velajat-e fakihut.

Populli i Iranit, në luftën e tij gjatë një shekull, me kosto të mëdha dhe të përgjakshme, ka refuzuar vazhdimisht diktaturat e Shahut dhe Sheikut përmes kryengritjeve të njëpasnjëshme.

Unë përsëris se ne kërkojmë një republikë demokratike, jo-bërthamore, me ndarjen e fesë nga shteti, barazinë gjinore dhe gjithashtu autonomi për kombësitë e Iranit. Kjo do të sjellë paqe, demokraci, të drejta njerëzore, stabilitet, rindërtim, miqësi, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në rajon dhe botë.

Çfarë është MEK-u?

Pjesëtarët e grupit MEK e konsiderojnë veten disidentë në emigrim dhe alternativë ndaj regjimit klerik të Iranit. MEK-u nisi veprimtarinë dekada më parë, si grup marksist që kundërshtonte sundimin e shahut të atëhershëm të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi.

Ai e mbështeti Revolucionin Islamik të vitit 1979, por shpejt u kthye kundër Qeverisë klerike, duke kryer një sërë atentatesh dhe sulmesh me bomba në Republikën Islamike. Grupi sulmoi edhe personelin amerikan në Iran, gjatë viteve 1970.

Për kohë të gjatë, ai ishte në listat e organizatave terroriste të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. SHBA-ja e hoqi nga kjo listë në vitin 2013, për t’i ofruar mbështetje në luftën e tij kundër regjimit islamik të Iranit.

Me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe OKB-ja, MEK-u u largua nga Iraku - ku kishte kampin - në vitin 2013, dhe u vendos në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.

Rreth 2.500 pjesëtarët e tij që fillimisht u strehuan në lokacione të ndryshme në Shqipëri, ndërtuan kampin Ashraf-3 afër Durrësit, në vitin 2019. Ai përbëhet nga 127 ndërtesa dhe gjendet në një sipërfaqe prej 40 hektarësh.

muxhahedinet ne manze

Sondazh

Poll