Aktualitet

"U shfaq një video që nuk e dinim që ekzistonte," nëna e Martin Canit: Ishte një tronditje psikologjike shumë e fortë! Prej kohësh isha me ilaçe depresioni

Ajo theksoi se prej kohësh përdor ilaçe depresioni dhe se po mundohet që dhimbjen e madhe që ka ta kthejë në forcë.

16 Qershor 2025, 12:49 Nga N.F
"U shfaq një video që nuk e dinim që ekzistonte,"
Foto

TIRANË- Nëna e Martin Canit ka folur në lidhje me publikimin e videos pak ditë më parë ku shfaqej 14-vjeçari pak para se të plagosjes. Florina Cani duke folur për emisionin "Me zemër të hapur" në studion e Neës24 u shpreh se nuk e dinte se  ekzistont një video e tillë.

Ajo theksoi se prej kohësh përdor ilaçe depresioni dhe se po mundohet që dhimbjen e madhe që ka ta kthejë në forcë. Sa i përket videos ajo shtoi se për të ishte një tronditje psikologjike shumë e fortë.

“Kemi një dhimbje shumë të madhe. Prej kohësh isha me ilaçe depresioni. Pak nga pak po mundohem që dhimbjen ta kthej në forcë. Por u shfaq një video që nuk e dinim që ekzistonte. U befasova sepse mendova mos ishte një video që e kishim parë, ishte një tronditje psikologjike shumë e fortë.

Në shtëpi isha vetëm unë, bashkëshorti dhe Henri. Ia kam shpjeguar Henrit, dhe ai e ka kuptuar tashmë që Martini nuk jeton më. Mundohemi ta mbajmë gjallë me kujtimet e tij të bukura. Nuk e dinim më parë ekzistencën e videos. Edhe në gjyq nuk e dinim”, tha ajo.

Mes lotësh, ajo shprehu zhgënjimin për mungesën e faljes nga familja e autorit, ndërsa rrëfeu se nuk ka mundur të marrë pjesë në seancat gjyqësore, për shkak të peshës emocionale të situatës.

"Kam humbur sensin e jetës, jam mësuar me dhimbjen. Na ja lëmë drejtësisë çështjen. Dua dënimin maksimal për autorin. Po të isha në vend të familjes së autorit, si familje do shkoja tek familja e tjetrit, do i thosha që kjo ndodhi, do kërkoja falje, kjo do ishte.

Nuk kam marrë pjesë në seancë gjyqësore, sepse nuk e përballoj dot emocionalisht. Nuk kemi pasur falje nga familja e autorit. Kur pashë videon, u ndjeva shumë keq dhe nuk arrita ta shikoj deri në fund. Kur plaga hapet herë pas here, është shumë e fortë. Janë disa rregulla që duhet të zbatohen," tha ajo.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare 'Fan Noli'. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.

Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital.

I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

 

vrasja e martin canit

Sondazh

Poll