Aktualitet

Të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në Berat, arrestohen dy të rinj, sekuestrohen 330 doza kanabis dhe fishekë pa leje

Bëhet me dije se gjatë kontrollit, janë sekuestruar 330 doza kanabisi, mjete prerëse, fishekë luftarak, celularë dhe një automjet.

9 Qershor 2025, 14:18 Nga M.B
Të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në
Foto ilustruese

BERAT- Policia e Beratit ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Orders”, duke arrestuar 2 të rinj të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytet. Bëhet me dije se gjatë kontrollit, janë sekuestruar 330 doza kanabisi, mjete prerëse, fishekë luftarak, celularë dhe një automjet. Gjithashtu mësohet se në vijim, është proceduar penalisht edhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi në banesë iu gjetën municione të mbajtura pa leje. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Berat/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Orders”. Si rezultat i një hetimi disamujor, dokumentohet veprimtaria kriminale e 2 shtetasve që shitnin doza Cannabisi në qytetin e Beratit. Kapen dhe vihen në pranga autorët. Sekuestrohen 330 doza Cannabisi, një sasi e kësaj lënde, 2 mjete prerëse (thika) dhe disa fishekë luftarak.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, finalizoi operacionin “Orders”. Në kuadër të operacionit, Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” arrestuan shtetasit K. N., 21 vjeç dhe Nj. A., 19 vjeç, të dy banues në Berat.

Nga hetimet ka rezultuar se ata ishin të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa, në doza, në Berat. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 21-vjeçarit iu gjetën 330 doza Cannabisi. Më tej, 19-vjeçarit iu gjet me vete një sasi e kësaj lënde ndërsa në banesë, 2 mjete prerëse (thika).

Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 21-vjeçarit, shtetasin A. N., 44 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën e tyre u gjetën disa fishekë që posedoheshin pa leje. Lënda narkotike, mjetet dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me 7 celularë dhe 1 automjet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

berat

Sondazh

Poll