Aktualitet

Përplasja tek Urdhri i Psikologut, ish-presidentja mban peng karrigen, Grimci: Drejtuesja e re duhet të marrë menjëherë detyrën, u miratua pa kontestim

Ajo tha se statusi i institucionit nuk mund të mbahet i ngrirë për shkak të ankesave.

9 Qershor 2025, 13:36 Nga M.B
Përplasja tek Urdhri i Psikologut, ish-presidentja mban peng karrigen,
Eda Grimci

TIRANA- Përfaqësuesja e saj, e presidentes së zgjedhur të Urdhrit të Psikologut, Brunilda Labovitit, Eda Grimci, foli para mediave lidhur me përplasjen në këtë institucion ku ish-presidentja Valbona Treska refuzon të lirojë zyrën. Grimci e theksoi këtë fakt duke thënë se se ish-drejtuesja po bllokon procesin dhe theksoi se çdo veprim i mëtejshëm është i paligjshëm.

Ajo tha se statusi i institucionit nuk mund të mbahet i ngrirë për shkak të ankesave. Sipas Grimcit, e drejta për marrjen e detyrës i takon menjëherë Labovitit.  Duke iu referuar rezultatit të votimeve, Grimci deklaroi Laboviti ka marrë dyfishin e votave. 

Fjala e Eda Grimcit para mediave:

Ligjërisht zonja Laboviti, në momentin që është çertifikuar ky procesverbal me vulën e komisionit, ku kryetar komisioni ka qenë pikërisht punonjësi i zyrës juridike, pra juristi… Në momentin që ka ankesë, ankesa nuk pezullon zgjedhjen e presidentit të ri. Ka ankesë, ankesa shqyrtohet, nuk mund të mbahet statusi i ngrirë. Marrjen e detyrës, zonja Laboviti e ka menjëherë, të premten zonja Laboviti merrte detyrën, në momentin që ky procesverbal është firmosur nga 3 anëtarë të komisionit pa asnjë kontestim…

Ky është rezultat i zgjedhjeve, çdo pretendim tjetër nuk është ligjor. Unë jam njoftuar nga zonja Laboviti të jem prezent këtu pikërisht për këtë prononcim, që atë ditë në fakt na është thënë do t’i kontestojmë se nuk ka kuorum, ka kuorum. Jam marrë gjithë javën me bazën ligjore dhe me lidhin, qoftë ligjin për urdhrin e psikologut, qoftë statutin e urdhrit të psikologut dhe qoftë edhe rregulloren.

Në asnjë germë, nuk flet njeri as për kuorum, as për jokuorum. Pra, ai kandidat i cili merr numrin më të madh të votave të atyre që kanë të drejtë të votojnë shpallet fitues. Zonja Laboviti ka marrë dyfishin e votave. Nuk është puna se pati kontestime gjatë procesit, pati problematika apo parregullsi gjatë procesit, u ngritën pretendime që votat janë të pavlefshme apo u ngritën pretendime të tjera… Zonja Laboviti duhet të marrë detyrën menjëherë.

Përplasja në Institucionin Urdhëri i Psikologut

Institucioni i Urdhrit të Psikologut prej rreth një viti vijon të jetë në situatë të tensionur, ku “lufta” bëhet për të marrë kreun. Pak ditë më parë u mbajtën edhe zgjedhjet, po ashtu mes tensionit, ku nuk munguan akuzat për përjashtime të paligjshme të kandidaturave nga gara. Dy kandidatet zyrtare në garë ishin Brunilda Laboviti dhe Elona Mustafaraj, ku zgjedhjet u fituan nga e pare me 238 vota të anëtarësisë nga 451 gjithsej. Mustafaraj mori vetëm 140 vota, ndërsa 73 vota rezultuan të pavlefshme. Pas fitores së zgjedhjeve, Brunilda Laboviti ka shkuar këtë të hënë për të marrë detyrën, por zyra nuk i është liruar nga Valbona Treska, e cila qëndron në krye të Urdhrit të Psikologut. Treska nuk ka pranuar që të lirojë zyrën, pasi pretendon se duhet të presë ankimin për procesin e zgjedhjeve./Dosja.al

urdhri i psikologut

Sondazh

Poll